Kryeministri Edi Rama garantoi sot se dimri për shqiptarët nuk do të jetë aq i dhimbshëm falë masave që sipas tij, qeveria i ka marrë. Në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste, që kishte në fokus angazhimin e partisë për zgjedhjet lokale 2023, Rama tha se përballë një diktatori si Putin, Shqipëria duhet të marrë masat. Rama tha se buxheti i vitit 2023 është dyfishi i atij që kishte shteti në vitin 2013, kur demokratët lanë pushtetin.
“Aktiviteti nis nesër dhe shtrihetnë të gjithë Shqipërinë për të komunikuar intesivisht me të gjithakomunitetet. Kemi hyrë në një epokë të kërcënimit të madh, Evropa dhe ne si pjesë e saj jemi të detyruar të përballemi me kërcënimin e madh të kësaj epoke, që vjen si agresion në dyertë e Evropës dhe ka sjellë si pasojë veç bombave në Ukrainë edhe rritjen e çmimeve të energjisë dhe produkteve bazë në të gjithë botën, edhe në Shqipëri. është një inflacion lufte, kostoja që i paguajmë aventurës së një diktatori si Vladimir Putin por nga ana tjetër edhe pse nuk është qeveria që ka sjellë inflacionin i takon qeverisë të ulë peshën e kësaj lufte mbi shpatullat e familjeve. Kemi finalizuar buxhetin e 2023, dyfishi i vitit 2013 çka tregon se shumëçka ka ndryshuar pozitivisht në funksion të së ardhmes së vendit. Ky dyfishim i buxhetit bazohet te domosdoshmëria për të mbështetur të gjithë për aq sa të jetë e mundur. Do e mbrojmë çmimin e energjisë, shpresoj të kemi gjithçka të nevojshme. Duke patur më shumë prurje kemi nevojë më pak për import. Këtë dimër do e kapërcejmë pa dhimbje të mëdha. Masat i kemi marrë, mbështetja masive do të vazhdojë”, u shpreh Rama.