Kreu i BioNTech shpjegon pse nevojitet doza e tretë e vaksinës

“Rreth shtatë muaj pas dozës së dytë të vaksinës Covid, ne mund të infektohemi me koronavirus”, tha Ugur Sahin, kreu i kompanisë gjermane të bioteknologjisë BioNTech, për gazetën Bild. Ai shpjegon se doza përforcuese e vaksinës vjen për të mbushur boshllëkun dhe madje është efektive kundër mutacionit “Delta”.

Deklaratat e kreut të BioNTech vijnë në kohën kur gjiganti farmaceutik amerikan Pfizer, me të cilin po bashkëpunon për përgatitjen e vaksinës kundër Covid-19, njoftoi se ai ka gati pilulën kundër Covidit.

“Nga muaji i shtatë, i tetë apo i nëntë pas dy dozave të para të vaksinës Covid, nivelet e antitrupave fillojnë të bien, duke e lënë trupin të prekshëm ndaj sëmundjes”, thotë Sahin.

Për këtë arsye, thotë ai, të moshuarit duhet të marrin urgjentisht dozën përforcuese, gjashtë muaj pas dozës së dytë të vaksinës./albeu.com


Shtuar 7.11.2021 16:28