Kremlini paralajmëron Gjermaninë: Mos e furnizoni Ukrainën me armë

Kremlini i ka bërë thirrje Gjermanisë të ndalojë armatosjen e Ukrainës, pasi nuk mund të garantojë që armët me të cilat ka furnizuar Kievin nuk do të përdoren kundër territorit rus.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se furnizimet gjermane të armëve janë përdorur tashmë në rajonin e Donbass, të cilin Rusia e ka pretenduar si të sajën, një vendim që Ukraina dhe Perëndimi e kanë hedhur poshtë si të paligjshëm.

Kancelari gjerman Olaf Scholz tha dje se Gjermania këmbënguli, si vendet e tjera anëtare të NATO-s, që armët me të cilat furnizon Ukrainën të mos përdoren për të goditur territoret ruse.

Por Peskov u tha gazetarëve: “Së pari, Gjermania nuk ka asnjë mënyrë për ta kontrolluar atë. Së dyti, armët me të cilat Gjermania furnizon regjimin e Kievit tashmë po godasin territorin rus, sepse Donbass është territor rus”.

Peskov tha se “përfshirja direkte dhe indirekte” e Gjermanisë në luftë po rritet, duke shtuar se “kancelari gjerman duhet ta marrë këtë si pikënisje”.

Dy rajonet e Ukrainës lindore që njihen kolektivisht si Donbass kanë qenë në qendër të armiqësive midis forcave ukrainase dhe ruse ose të mbështetura nga Rusia që nga viti 2014.

Rusia i aneksoi ato në mënyrë të njëanshme vitin e kaluar, së bashku me dy rajone të tjera të Ukrainës, megjithëse nuk i kontrollon plotësisht.


Shtuar 2.05.2023 20:28