Kontrolle “blic” në Durrës e Tiranë, Ergys Agasit i marrin 2 telefona, lap-top dhe dokumente

Të paktën 4 objekte, ku jeton dhe ushtron aktivitetin e biznesit, Ergys Agasit, i janë kontrolluar sot nga oficerët e BKH-së dhe prokurorisë së posaçme SPAK.

Përgjatë gjithë fazës së kontrolleve, Ergys Agasi, ka qenë prezent e bashkë me të dhe një avokat mbrojtës.

Ndërsa mësohet se gjatë kontrollit të vilës së Agasit në Durrës, janë sekuestruar dokumente, aparate telefoni, lap-top e sende të tjera që BKH-ja ka vlerësuar se mund ti shërbejnë hetimit.

SPAK, nuk ka preferuar të bëjë asnjë koment për këtë çështje, duke hermetizuar çdo informacion që bën fjalë për këtë dosje.

Ndaj nuk dihet me saktësi nëse kontrollet ndaj Ergys Agasit në Tiranë dhe Durrës, janë kryer për shkak të një hetimi që lidhet me kontrabandën e naftës në Durrës, kontrabandën e cigareve nga Librazhdi në Greqi, apo me dosjen “Troplini” të finalizuar disa javë më parë nga SPAK.

Ergys Agasi, konsiderohet si një nga njerëzit me ndikim në qytetin e Durrësit dhe që mban lidhjet e forta mes biznesit, krimit të organizuar dhe Politikës.

Emri i tij është përmendur shpesh në akuzat e ndërsjellta politike mes PS dhe PD-së. Ndërsa tashmë një çështje kundër tij dhe personave të tjerë është hapur në SPAK.

Rasti në fjalë është në vazhdim e sipër dhe detaje të tjera pritet të dalin më pas.


Shtuar 19.06.2025 16:54