Cigaret elektronike, njësoj si cigaret normale, sjellin një dëmtim të parikuperueshëm në organizmin e njeriut.
Kohët e fundit, shtrimet ne spitale për shkak të simptomave nga përdorimi i këtyre cigareve, janë shtuar tej mase.
Mjekët apelojnë që të bëhet kujdes me përdorimin e këtyre cigareve, pasi shpesh prodhuesit gënjejnë e abuzojnë me të vërtetat e hidhura rreth tyre.
Pneumologu Ardian Jorgji në Spitalin Amerikan është shprehur në një intervistë për media, se fatkeqësisht vdekjet e evidentuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo të sëmurët janë në mosha të reja dhe ajo për çfarë duhet të rritet më tepër vigjilenca tek autoritetet e shëndetit publik, është se këta persona janë me strukturë trupi të mirë, kanë pasur nivele të glicemisë dhe diabetit shumë normale, pra nuk kanë pasur ndonjë problem tjetër shëndetësor.
Rritja e numrit të pacientëve që sëmuren nga cigaret elektronike ka të bëmë edhe me përdorimin pa kriter të tyre. Sipas mjekut, këto cigare mund të shkaktojnë dëmtimin e thjeshtë të mushkërisë që është inflamacioni kronik (ngushtimi i rrugëve të frymëmarrjes), por edhe alergjitë, virozat e të tjera.
Shumë njerëz nuk e dinë se çfarë përmbajnë këto pajisje dhe çfarë shkaktojnë tek shëndeti i tyre, por diçka tjetër që duhet theksuar është se e gjithë kjo modë e cigareve elektronike u zhvillua shumë shpejt, duke bërë njerëzit të mendojnë se “tashmë kishin një zgjidhje për eliminimin e ngadaltë të cigares klasike”.
Pneumologu Ardian Jorgji, në Spitalin Amerikan
“Dikur kanë qenë cigaret pa filtër, dolën filtrat në treg dhe u tha sikur ishin më pak të dëmshme, por nuk doli kështu. Doli filtër i butë, u tha e njëjta gjë, por nuk doli kështu. Doli filtër biologjik, prapë u tha e njëjta gjë, nuk doli kështu. Ndërsa për cigaret elektronik endet thuhet që shkaktojnë shumë pak dëme në organizëm, thuhet që është një mënyrë shumë më e lehtë për të bërë shkëputjen nga duhanpirja e vërtetë, as kjo nuk është kështu,” shprehet mjeku.
Ekspertët e huaj kanë shpjeguar se është abuzuar me këtë produkt për faktin se deri tani nuk ka pasur studime të plota dhe kjo është arsyeja e vetme që është spekuluar për vetitë e cigares elektronike. Asnjëherë nuk ka pasur më parë studime të vërteta nga shoqëritë prodhuese nëse shkaktojnë dëme apo jo. Vetëm gjatë kohëve të fundit, është përcaktuar një shifër për të kryer një studim mbi përmbajtjen e cigareve elektronike, për shkak se është rritur shumë numri i pacientëve, ndërkohë që produkti është hedhur në treg vite më parë.
Por cilat janë dëmtimet që mund të shkaktojë cigarja elektronike?
Mjeku pneumolog shprehet se një sërë studimesh serioze kanë treguar se përmbajtja e këtij produkti mund të shkaktojë dëmtime në kokë, në zemër dhe në mushkëri.
“Përdorimi i cigares elektronike u bë modë sepse thuhej se dëmtimet ishin shumë të pakta e kështu u përdor nga të gjithë njerëzit, deri dhe tek gratë shtatzënë, por përkundrazi nuk është kështu, pasi janë bërë vlerësime që mund të ketë edhe dëmtime të fetusit,” shprehet Jorgji.
Pajisja e cigares elektronike përbëhet nga tre pjesë, si bateria, ampula që përmban lëngun që përdoret dhe pjesa tjetër që kthen lëngun në avull, tek i cili janë gjetur deri në 15 lloje mineralesh toksike, të llojit bakër, plumb, nikel dhe magnez.
Mjeku shpjegon se është diskutuar shumë se këto cigare kanë një përmbajtje nikotine shumë të ulët; por “nuk është kështu, varësia është njësoj si te cigarja tradicionale”.
Sipas një studimi të këtij viti nga Shoqata Amerikane e Zemrës, u personat që përdorin cigaret elektronike janë më të rrezikuar nga sëmundjet kardiovaskulare. Pneumologu Jorgji shprehet se të grithë duhet të qëndrojmë larg cigares e cilado forme qoftë ajo.
“Duhet të rritet më shumë sensibiliteti social kundrejt dëmeve që shkaktojnë këto produkte, duke pasur parasysh që jetojmë në një vend me ndotje shumë të madhe dhe t’i drejtohemi jetës së shëndetshme dhe sportit,” shprehet Jorgji./albeu.com