Konjufca paralajmëron për rrezikun nga synimet territoriale të Serbisë

Synimet territoriale të Serbisë dhe mungesa e llogaridhënies për sulmin në Banjskë janë, sipas zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, shqetësime serioze për sovranitetin e Kosovës dhe stabilitetin e rajonit.

Të lidhura

None found

Në një intervistë për “The Hungary Insider”, të publikuar më 15 tetor, Konjufca tha se zhvillimet e fundit dëshmojnë, sipas tij, se Serbia po vijon të njëjtën politikë ndaj Kosovës dhe po u ofron mbrojtje politike personave të përfshirë në sulmin e armatosur në Banjskë. Ai e cilësoi kërcënimin ndaj Republikës së Kosovës si real dhe kërkoi që bashkësia ndërkombëtare ta marrë seriozisht këtë model veprimi.

Konjufca iu referua deklaratave të zyrtarëve serbë, daljes publike të Milan Radoiçiqit në tubime politike në Serbi dhe sulmit të shtatorit 2023 në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ai tha se Radoiçiqi, ndonëse ka pranuar se e organizoi sulmin, mbetet i lirë në Serbi dhe se prokuroria serbe ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj tij. Konjufca i kërkoi Bashkimit Evropian të ushtrojë presion mbi Beogradin për t’ia dorëzuar Radoiçiqin dhe personat e tjerë të akuzuar autoriteteve gjyqësore të Kosovës. Sipas tij, drejtësia për Banjskën është vendimtare për të parandaluar agresione të tjera dhe për të vendosur siguri të qëndrueshme në rajon.

Konjufca paralajmëroi edhe për mundësinë e një përshkallëzimi të ri. Ai tha se përqendrimi i forcave luftarake serbe pranë kufirit, ose një sulm tjetër ndaj territorit dhe infrastrukturës kritike të Kosovës, do të përbënte përshkallëzim serioz.

Për t’i parandaluar këto situata, ai vlerësoi se nevojiten një prani e fortë e NATO-s përmes KFOR-it dhe bashkëpunim i ngushtë me partnerët amerikanë dhe evropianë. Konjufca shtoi se Kosova do të vazhdojë t’i forcojë institucionet e saj të mbrojtjes, duke mbetur e përkushtuar ndaj diplomacisë, dialogut konstruktiv dhe marrëdhënieve paqësore me të gjithë fqinjët.


Shtuar më 16.10.2026 17:06