Konfiskohen pasuri me vlerë 300 mijë euro në Elbasan, pronarët të dënuar për trafik droge dhe armësh

Pasuri me vlerë 300 mijë euro janë sekuestruar në Elbasan. Bëhet fjalë për 4 apartamente që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale.

Ato ishin në pronësi të Zamira Gjongecaj, 48 vjeçe, banuese në Elbasan dhe N. V. alias Besnik Braka, 58 vjeç, banues në Tiranë (bashkëjetues).

Dy të sipërpërmendurit janë dënuar ne vitin 2009, nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Njoftimi:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Elbasan kanë referuar materialet në Prokurori për iniciimin e një procedimi pasuror dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fasada 4”, kanë konfiskuar 4 pasuri të paluajtshme (apartamente), me vlerë rreth 300 000 euro, që dyshohet se e kanë burimin nga veprimtaritë kriminale të shtetasve:

-Z. Gj., 48 vjeçe, banuese në Elbasan dhe N. V. alias B. B., 58 vjeç, banues në Tiranë (bashkëjetues).

Këta shtetas janë dënuar ne vitin 2009, nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” , “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, u konfiskuan 4 apartamente me vlerë 300 000 euro, me sipërfaqe totale rreth 470 m2, të ndodhura në Elbasan.

Vijon puna për gjurmimin dhe konfiskimin e pasurive të tjera që rrjedhin nga veprimtari të ndryshme kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /albeu.com


Shtuar 19.01.2023 12:34