Nga; Gjergj Erebara
Qeveria shqiptare u detyrua të fusë dorën në xhepin e taksapaguesve për t’i dhënë hua kompanisë publike Albcontrol, pasi gjendja e saj financiare mbërriti në pikën e falimentit si rrjedhojë e bllokimit të dhjetëramiliona eurove të ardhura nga kërkesa e biznesmenit italian, Francesco Beccheti për pagesën e gjobës së dhënë nga gjykata e Arbitrazhit kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Kryeministri Edi Rama, ka pretenduar gjatë viteve të fundit më shumë se një here se ai nuk ka ndër mend që të paguajë gjobën e rëndë, të vendosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit, kundër qeverisë së tij në favor të biznesmenit kontrovers Italian Francesco Becchetti, për konfiskimin e paligjshëm të televizionit Agon Channel nga autoritetet shqiptare në vitin 2015.
Por ndryshe nga sa pretendon Rama, duket se taksapaguesit shqiptarë jo vetëm që po paguajnë 108 milionë eurot e caktuara nga gjykata si dëmshpërblim për shkeljen e të drejtave të biznesmenit italian nga qeveria shqiptare, por me gjasa, po paguajnë edhe interesat shtesë.
Pagesat po bëhen përmes llogarive të kompanisë publike, Albcontrol pranë organizatës Eurocontrol.
“Gjatë vitit 2022, ashtu si edhe gjatë vitit 2021, shoqëria nuk ka arkëtuar asnjë të ardhur nga shërbimi en route dhe terminal charge si pasojë e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë të Brukselit, për ngrirjen e llogarive të Albcontroll Sh.A. pranë organizatës Eurocontrol,” thuhet në raportin e Albcontrol mbi bilancin e vitit 2022. Totali i këtyre shumave të bllokuara deri në dhjetor 2022 ishte 6.75 miliardë lekë [mbi 60 milionë euro me kursin e kohës].
Kompania publike, Albcontrol gjendet aktualisht në rrezik falimenti si pasojë e faktit që nuk është në gjendje të tërheqë të ardhurat e saj nga shërbimet e shitura për shkak se gjykatat belge kanë pranuar kërkesën e Becchettit për të bllokuar llogaritë e saj për të shlyer dëmshpërblimin që Gjykata e Arbitrazhit i ka dhënë atij.
Në dhjetor, qeveria i akordoi Albcontrol, një hua me vlerë afro 30 milionë euro pa dhënë shpjegime.
Por, duket se huaja lidhet me pamundësinë e Albcontrol për të kryer operacionet e zakonshme në kushtet e bllokimit të llogarive.
Ndërsa qeveria nuk jep shpjegime për situatën, të dhëna shtesë shfaqen në bilancin e kompanisë Albcontrol, i cili u depozitua së fundmi në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Bilanci që u depozitua me gjashtë muaj vonesë, paraqet situatën në fund të vitit 2022 dhe audituesi i bilancit ka “ngelur” raportimin financiar të administratës së kompanisë, duke theksuar se bllokimi i të ardhurave të saj në Belgjikë, sugjeron se kompania është në gjendje të ndryshme financiare nga çfarë raportohet.
Para të bllokuara
Albcontrol është një kompani aksionere nën pronësinë e tatimpaguesve shqiptarë. Ajo ofron shërbimin e fluturimeve ajrore që ulen ose ngrihen në Shqipëri, ose që kalojnë mbi qiellin shqiptar.
Të ardhurat e zakonshme të kompanisë për vitin 2022 ishin mbi 2.7 miliardë lekë “rreth 24 milionë euro”.
Por duke qenë se kompania operon si pjesë e një sistemi ndërkombëtar të shërbimeve për transportin ajror civil, pagesat e klientëve të saj depozitohen në Bruksel dhe jo në Tiranë, para se të transferohen në dispozicion të kompanisë.
Në së paku dy raste, llogaritë e Albcontrol në Belgjikë janë bllokuar si pasojë e mungesës së vullnetit nga qeveria shqiptare për të respektuar vendime gjyqësore. Në rastin e parë ishte kompania General Electric, e cila kërkoi dhe mori 25 milionë dollarë dëmshpërblim kur qeveria e ish-kryeministrit Si Berisha, vendosi të anulojë në mënyrë të njëanshme një kontratë që qeveria e mëparshme, kishte firmosur me kompaninë amerikane për ndërtimin e një linje hekurudhore.
Kësaj here, gjithsesi, shifrat në lojë janë të stërmëdha. Bilanci i Albcontrol, duket se ka klasifikuar llogaritë e bllokuara si “llogari të arkëtueshme”.
Pasqyra e gjendjes financiare tregon se këto “llogari të arkëtueshme” ishin 6.7 miliardë lekë në fund të vitit 2022, shifër që ka gjasa është rritur më tej gjatë vitit 2023.
Kompania duket se ka marrë 2 miliardë lekë hua gjatë vitit 2022, për të mbuluar shpenzimet në kushtet e bllokimit të të ardhurave, përveç 3 miliardëve që iu dha nga Këshilli i Ministrave në dhjetor.
Në fakt, huatë nga qeveria për Albcontrol, duket se janë një lojë fjalësh dhe audituesit e kompanisë kanë “ngelur” raportimin financiar të administratorëve duke dhënë “opinion me rezervë”.
Audituesit vërejnë se kompania është një shoqëri aksionere jofitimprurëse, synimi i saj është që të garantojë shërbimin publik që ofron dhe jo të nxjerrë fitime. Dhe tarifat e saj përcaktohen në bazë të kostos.
Për rrjedhojë, kompania nuk nxjerr dot fitime për të shlyer huatë që qeveria i ka akorduar asaj nga paratë e taksapaguesve dhe në instancë finale, taksapaguesit po paguajnë faturën e gjobës së Becchettit në mënyrë indirekte, pavarësisht se kryeministri Edi Rama pretendon se kjo nuk po ndodh.
Sipas audituesve: “ne kemi ndeshur informacione publike, si rrjedhojë e vendimit të Gjykatës së Apelit në Bruksel, që mund të krijojë ekzistencën e një pasigurie materiale mbi aftësinë e Shoqërisë për të vazhduar në vijimësi”.
Audituesit vërejnë gjithashtu se Albcontrol sipas ligjit “nuk është një subjekt fitimprurës”.
Ajo mbulon nevojat e saj me të ardhura, të cilat duhet të jenë të barabarta me fitimet.
Për këtë arsye, dukshëm qeveria shqiptare po i jep Albcontrol hua, e cila ka zero shanse të kthehet.
Gjoba e Becchettit është një nga pasojat financiare të sjelljes së qeverive të ndryshme ndaj investitorëve të huaj.
Së fundmi, një numër kompanish kanë ngritur pretendime shtesë ndaj qeverisë për ndërprerje të njëanshme të kontratave në lidhje me vendimin e papritur të Ramës, për të dhënë me koncesion për ndërtim pallatesh në portin e Durrësit.