Një djalë, i cili zbriti nga banesa për të pirë kafe, pak minuta përpara se lokali të mbyllej nga ora policore u sulmua me thikë së bashku me shokun e tij nga një burrë që e njihte si fytyrë. Kur ai shkoi i plagosur në spital së bashku me shokun e tij dëshmia e tyre i ka shtangur mjekët e njëkohësisht edhe policinë e cila ka përpiluar urdhër arrestet. Të kërkuarit e uniformave blu ishin një burrë i martuar në moshë të madhe dhe djali i tij, të cilët kanë lënë tavolinën ku po konsumonin birra dhe kanë kërkuar të sqarojnë një incident që sipas tyre buronte nga platforma tik tok.
Sqarimi që burri në moshë kërkonte të hidhte dritë ishte se përse shtetasi L. B i kishte shkruar në tik tok të dashurës së tij. Ai madje nuk është kursyer as nga prania e të birit, pasi ka parë pamjet indiferente të të riut që ka ngritur supet, duke deklaruar “unë s’kam fare tik tok”.
Sipas dëshmisë të dhënë në polici nga dy të dëmtuarit L. B dhe shoku i tij E. K, ata shkuan për kafe në një lokal.
“Në kafe ishte dhe shtetasi G. B, me një burrë të vjetër në moshë dhe me një djalë të ri. Më thërritën dhe u afrova, i thashë atij që më thirri, s’po të njoh dhe kur ai m’u prezantua më tha – më ke komentuar në tik tok të dashurën time”.
I riu i është përgjigjur menjëherë – nuk kam fare tik tok.
“Në këto çaste, G. B. mori të dashurën në telefon, kështu m’u duk dhe foli me kamera me të. E pyeti a ke folur ndonjëherë me këtë person? Ajo i tha nuk e njoh dhe nuk kam folur asnjëherë me këtë person.”
Pas këtij sqarimi online, kallëzuesi shton se shtetasi në fjalë i kërkoi falje dhe se më pas, përfundoi kafen dhe u çua nga tavolina.
“Isha në rrugën “Haxhi Hysendalliu së bashku me E. K., i cili ndërkohë ishte jashtë duke folur në telefon. Aty pashë se si shtetasi G. B së bashku me pesë persona të tjerë ku njëri ndër ta ishte i biri S. B kishin thika në duar. Ai që erdhi drejt meje ishte G. B dhe më gjuajti me thikë”.
Sipas tij ai është shmangur dhe është rrëzuar dhe mjeti i mprehtë e ka kapur vetëm në shpatull dhe i ka grisur bluzën.
Policia bën me dije për gazetën Si se si menjëherë në vendngjarje ka ndërhyrë shoku i tij, E. të cilin po ashtu e kanë goditur me thikë.
Bëhet me dije se oficerët kanë pyetur banakierin dhe kamerierët e lokalit për klientët në fjalë.
F. Q tregon se i dëgjoi klientët të flisnin për tik tokun dhe se burri në moshë i kërkoi llogari të riut së pari se përse e kishte bërë follow të dashurës së tij dhe mandej se përse e kishte komentuar të dashurën në fjalë.
Mbas kërkimeve, policia i ka gjetur dhe i ka arrestuar të dy babë e bir. I riu i befasuar për shkaqet e sherrit të të atit, ka pohuar vetëm kaq “do flas në një moment tjetër”.
Ndërsa burri, i cili e bëri sherrin për të dashurën mësohet të ketë thënë sipas burimeve të sigurta se kishte qenë i dehur.
Më duket se e godita me shishen e birrës dhe jo me thikë. Djali nuk gjendej me mua kur u sqaruam dhe nuk gjendej as në sherr, ai u afrua pas sherrit kur dëgjoi të bërtiturat. Ndoshta më ka nxehur fakti që djali i ri për të cilin isha i sigurt që i kishte shkruar të dashurës sime, u ngrys dhe më pa me shpërfillje, pasi me këtë njeri u sqarova dhe nuk kam asnjë konflikt tjetër.
Pavarësisht qëndrimit të tij, ndaj burrit do të ngrihet akuza e vrasjes së mbetur në tentativë, kurse agjentët do të pyesin edhe të dashurën e tij, e cila ka qenë dëshmitare okulare në rrugë virtuale gjatë sqarimit.