Fillimi i shërbimit të kontrollit teknik të mjeteve vitin e shkuar ka rezultuar me të paktën 60 mijë ngelje apo refuzime.
Të dhënat zyrtare tregojnë se saktësisht nga qershori kur nisi kontrolli e deri në dhjetor janë testuar mbi 213 mijë mjete. Pjesa dërmuese e mjeteve i përkasin kategorisë së automjeteve me 4+1 ose 8 vende 69.9 për qind ndërkohë që 19.6 për qind kanë qenë kamionë. Vlefshmëria e certifikatave tashmë ka një afat më të gjatë me dy vite.
Shkak për ngeljen në kolaudim të mjeteve sipas raportit është bërë mangësia vizuale e funksionale në vendin e parë, sistemi i frenimit me 18.7 për qind i dyti dhe më pas sistemi i shkarkimit të gazrave dhe sistemi i drejtimit, përcjelljes së fuqisë në akse dhe i amortizimit.
Shumica e testimit të mjeteve janë bërë në drejtorinë rajonale të Tiranës me 66.7 mijë mjete ndërkohë që më pas vjen Durrësi me 25.2 mijë dhe Fieri me 23 mijë. E fundit renditet Dibra me më pak mjete që llogariten në 3283 të tilla.
DPSHTRR ka rritur edhe numrin e shërbimeve që ofron ku sipas të dhënave gjatë vitit të shkuar janë 5 shërbime risi ndërkohë që ka vijuar ofrimin e disa elementëve të veçantë si targat suvenir.
Në 2021 shqiptarët kërkuan 1225 targa suvenir si një shërbim që merret nga punishtja e dedikuar e Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor. Të dhënat zyrtare tregojnë se nga ky shërbim u gjenerua një vlerë modeste prej 1.5 milionë lekësh.
Një pjesë e madhe e targave të vjetra me fushën e bardhë dhe simbolin e flamurit kombëtar me simbolin e shqiponjës, doli jashtë përdorimit pas ndryshimit të formatit të targave shqiptare, derisa u risollën nëpërmjet Punishtes së Targave Suvenir nga projekti Retro Albania duke i personalizuar ato me shkrime, dedikime sipas dëshirës, jo për qëllime qarkullimi.
Ky format është përdorur për dhurata të ndryshme dhe porosi personale të cilat realizohen online ose prodhohen direkt në punishten lëvizëse të targave suvenir nëpër aktivitetet e Retro Tour. Fondet e fituara prej shitjes së tyre shkojnë për financimin e aktiviteteve e projekteve RETRO” thuhet në raportin e DPSHTRR./Monitor