Gjatë gjithë sezonit veror, turistët e huaj, por edhe pushuesit vendas mund të marrin shërbim shëndetësor për çdo rast urgjence në 36 qendrat shëndetësore verore që janë në funksion të plotë 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës.
“Jemi pranë jush që pushimet tuaja të jenë të qeta dhe të sigurta”, tha Koçiu, në një postim në rrjetet sociale.
Gjithashtu, infermierja e qendrës shëndetësore verore në Velipojë shprehet se kjo qendër është e hapur 24 orë në shtatë ditë të javës, ndërsa sipas saj ka pasur disa raste kritike tek të sëmurët kronikë që janë referuar për në spitalin e Shkodrës
Përveç qendrave shëndetësore, Urgjenca Kombëtare do të vendosë në dispozicion të pushuesve 20 vendqëndrime fikse me autoambulanca në zonat më të frekuentuara turistike. Gjithashtu do të përdoren edhe motoambulancat, të cilat ndihmojnë në përshpejtimin e ndërhyrjeve mjekësore duke shmangur trafikun e rënduar të sezonit.
Këto qendra shëndetësore do të qëndrojnë të hapura deri në 30 shtator 2025, për një sezon turistik të sigurt dhe të shëndetshëm për të gjithë pushuesit vendas dhe ata të huaj.