Klubet bullgare, arsyeja e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Shkupit dhe Sofjes

Marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë dhe Bullgarisë janë në nivelin më të ultë të mundshëm, sipas disa analistëve bullgarë. Sipas historianit bullgar Dimitar Atanasov, nga të dyja palët ka subjekte politike, parti dhe institucione që kanë interes për përkeqësimin e marrëdhënieve. Sipas tij, udhëheqës i një fushate të tillë në Bullgari është vetë presidenti, Rumen Radev.

“Marrëdhëniet janë përkeqësuar shumë kohët e fundit, sidomos me iniciativat е hapjes së të ashtuquajturave klube kulturore nga të dyja vendet. Në fakt, ata kanë rezultuar të jenë objekt provokimi. Më vjen keq ta them që Bullgaria e filloi këtë. Domethënë, fillimi i kësaj fushate provokuese erdhi nga pala bullgare. Maqedonia u përgjigj, gjë që gjithashtu nuk është e drejtë”, tha Dimitar Atanasov – historian bullgar.

Sipas drejtorit të Eurothink, analistit Dimitar Nikollovski, marrëdhëniet mes dy vendeve do të mund të përmirësohen kur t’u lihet hapësirë ekspertëve dhe komunitetit akademik, e jo autoriteteve shtetërore.

“T’u jepet zërave pajtues shumë më tepër hapësirë dhe kohë në media, veçanërisht nga ana tjetër, kështu që mendoj se duhet të jemi shumë më pak të ngarkuar me atë që thotë Xhambaski nga ana e Bullgarisë, dhe të mos e trajtojmë Bullgarinë vetëm përmes prizmit të asaj që flitet nga Xhambaski”, deklaroi Dimitar Nikolovski – analist.

Ndërkaq pas përfundimit zyrtarisht të afatit për riemërtimin e shoqatave me emrat e figurave të diskutueshme të lidhura me nazizmin, Ministria e Drejtësisë pritet të marrë një vendim përfundimtar për fshirjen e tyre nga Regjistri Qendror në fillim të muajit mars. As klubi i Manastirit “Ivan Mihajlov”, as ai i Ohrit, “Car Boris III”, nuk kanë plotësuar aplikime për ndryshimin e emrave. /Alsat.mk


Shtuar 21.02.2023 16:49