Nga emisioni Vetting:
Në tenderin “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, dy nga abuzimet kyçe që janë kryer gjatë procedurës, konsistojnë në rritjen me 30 përqind të shumatores së çmimeve për njësi, si dhe uljen e sasisë së artikujve me 239427 artikuj më pak.
Sipas dëshmisë së drejtores së Agjencisë së Blerjeve të Përqëndruara, Edlira Naqellari, ndryshimin në sasi e lejonte marrëveshja kuadër, ndërsa ndryshimi i çmimeve ishte bërë në bazë të ritestimit të çmimeve të tregut që kishte bërë Departamenti i Policisë së Shtetit, duke kërkuar informacion nga disa subjekte. Por, Kontrolli i Lartë i Shtetit, në Raportin Përfundimtar të Auditimit të ushtruar në “Agjencinë e Blerjeve të Përqëndruara” (Tetor, 2021) të vënë në dispozicion të “Vetting”, sqaron se dy nga subjektet që kanë dhënë edhe shifra reference të larta duke ndikuar në rritje të çmimeve, nuk kanë pasur për objekt të veprimtarisë, prodhimin e uniformave të policisë.
“Si rezultat çmimet mesatare të llogaritura për njësi për arrtikujt e uniformës janë të pasakëta. çmimet e 2 subjekteve që nuk kanë për objekt veprimtarinë e këtij prokurimi kanë sjellë rritjen e fondit limit në vlerën prej 301 332 687 lekë, duke shkaktuar uljen e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit të fondeve publike”, shkruan KLSH në raport.
Një prej subjekteve, siç konstaton KLSH, rezulton person fizik, që ka si objekt të veprimtarisë “Riparime dhe shërbime për veshje”, që nuk përputhet me objektin e tenderit në fjalë. Ndërsa subjekti tjetër, që është edhe faktori kyç në rritjen e çmimeve, ka për objekt kryesor shoqërimin e vlerave monetare dhe sendeve të çmuara dhe transportin e mallrave me vlerë, dhe vetëm pak muaj para se të jepte çmimet referencë për uniformat kishte shtuar edhe si pjesë të veprimtarisë edhe import-eksportin e veshjeve policore dhe ushtarake:
“Pikërisht përllogaritja e këtij operatori në çmimit mesatar të ofertave ka ndikuar në rritjen e çmimit mesatar të llogaritur, pasi oferta e tij për artikujt e uniformës është më e larta nga 5 operatorët që kanë dërguar oferta për çmimet”, sqaron më tej KLSH.
Fleksibilitetin e sasisë së artikujve nga ana tjetër, e ka lejuar përzgjedhja e zhvillimit të tenderit me marrëveshje kuadër, çka u përdor edhe si alibi nga Naqellari. Një marrëveshje e tillë përdoret kryesisht për mallra me natyrë të përsëritur dhe kur është e pamundur të përcaktohen volumet. Por sipas KLSH-së në këtë procedurë prokurimi është përzgjedhur, jo në përputhje të plotë ligjore.
“Kjo pasi janë mallra me natyrë të përsëritur, por nuk është as e vështirë, as e pamundur përcaktimi i numrit të artikujve, si dhe nuk mungon siguria e kohës për dorëzimin e mallrave”, thuhet në raportin e auditimit të KLSH-së./abcnews.al