Klodian Braho zgjidhet në krye të SPAK (VIDEO)

Klodian Braho, do të jetë kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme. Braho u zgjodh me 7 vota nga anëtarët e KLP-së, 3 vota të tjera ishin për kandidatin tjetër Adnan Xholi dhe 1 votë për Elvin Gokaj.

Braho do të marrë detyrën më datën 19 dhjetor, ditën kur do të lerë detyrën kreu aktual i SPAK, Altin Dumani.

Gjatë seancës së sotme në KLP, ku u intervistuan të katër kandidatët: Adnan Xholi, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelliu dhe Klodian Braho, ishin të pranishëm dhe përfaqësues diplomatikë.

Nancy vanHorn, ambasadori Gonzato dhe ambsadori britanik Nicholas Abbott, ndoqën nga afër marrjen në pyetje të prokurorëve kandidatë.

Braho, i emëruar prokuror në vitin 2007, është pjesë e strukturës së posaçme që prej krijimit të saj dhe aktualisht drejton seksionin kundër korrupsionit.

Me një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe me eksperiencë të theksuar në çështjet e korrupsionit, Braho ka qenë në krye të disa prej hetimeve më të bujshme të dekadës së fundit.

Ai është prokurori që ka hetuar çështjen e inceneratorit të Elbasanit, ku lëshoi urdhër-arreste për personazhe kyçe si Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, si edhe vendosi ndarjen e hetimit për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj.

Në portofolin e tij përfshihet gjithashtu hetimi i dosjes “5D”, që çoi në gjyq ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës, si edhe dosja e njohur “Toyota Yaris”, e cila mbetet ende në hetim në disa fraksione të saj.

Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dërgimin për gjykim të çështjes ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu, i akuzuar për “shpërdorim detyre” në lidhje me tragjedinë e Gërdecit.

Me zgjedhjen e tij në krye të SPAK, pritet që Braho të vijojë me një qasje të fortë ndaj hetimeve të nivelit të lartë, në një moment kyç për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

 


Shtuar 11.12.2025 15:25