“Kievi do të jetë Stalingradi i ri i Rusisë”, deputeti ukrainas befason në prag të betejës finale për kryeqytetin

Deputeti i Ukrainës dhe një ish-këshilltar i Presidentit Zelensky, Sviatoslav Yurah, u shpreh se Kievi mund të jetë një Stalingrad i ri për Rusinë.

Lajmin e bëri të ditur BBC, sipas të cilës, deputeti shtoi se kryeqyteti është përballur me një “breshëri” raketash gjatë natës, duke theksuar se në periferi të qytetit vazhdojnë ende luftimet e ashpra.

“Është një qytet masiv me miliona njerëz dhe nëse rusët përpiqen të hyjnë, do të ketë një luftë shumë të madhe. Kiev do të jetë Stalingradi i ri,” tha ai, duke iu referuar betejës më të përgjakshme të Luftës Botërore, në të cilin vdiqën rreth 1.1 milion trupa sovjetike dhe 800,000 trupa naziste gjermane dhe rumune.

Beteja e viteve 1942-43 ishte një pikë kthese, e cila ndaloi përparimin nazist në Rusi.

“Askush nuk do të dorëzohet,” përfundoi ai./albeu.com/