KiE i jep Ukrainës dhe Moldavisë statusin e vendeve kandidate për anëtarësim në BE

Këshilli i Evropës sapo ka vendosur që Ukrainës dhe Moldavisë t’u jepet statusi i vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE. Lajmin e bën të ditur presidenti i KiE, Charles Michel në një postim në Twitter.”

Një moment historik e cilëson Michel këtë zhvillim të radhës për rrugën e integrimit të Ukrainës në bllok.

“Marrëveshje. Këshilli i Evropës sapo ka vendosur që të japë statusin e vendit kandidat në BE për Ukrainën dhe Moldavinë. Një moment historik. Sot shënohet një hap vendimtar në rrugën tuaj drejt BE-së. Urime @ZelenskyyUa dhe @sandumaiamd dhe popullit të Ukrainës dhe Moldavisë. E ardhmja jonë është së bashku.”

 

Ndërsa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në një reagim në Twitter shprehet se lumtur që qëndrimi i mbajtur më herët nga KE për Ukrainën, Moldavinë e Gjeorgjinë është mbështetur nga liderët e BE-së për të vijuar me pjesën e radhës të procesit.

“E di që ata do të lëvizin me shpejtësi. Ata e dinë se sa vendimtare është kjo për demokracitë, ekonomitë dhe qytetarët e tyre.”

Kujtojmë se liderët e Bashkimit Evropian u mblodhën të enjten në Bruksel për të diskutuar rreth aplikimit të Ukrainës, Moldavisë e Gjerogjisë, për t’u anëtarësuar në bllok.  Ndërsa Ukraina dhe Moldavia morën dritën jeshile, KE vlerësoi se Gjerogjisë do t’i jepet sërish mundësi në një fazë të mëvonshme.

27 krerët e shteteve do të diskutojnë gjithashtu mënyrat për të përshpejtuar eksportin e drithërave të bllokuara në Ukrainë, si dhe propozimin e Francës për të krijuar një Komunitet Politik Evropian për t’u mundësuar vendeve evropiane që nuk janë shtete anëtare të krijojnë marrëdhënie më të ngushta me bllokun.


Shtuar 23.06.2022 20:42