Këshillimi Kombëtar, Rama: Mos të lejojmë llogoret e kacafytjet partiake të na marrin peng, shohim nga e ardhmja
Kryeministri Edi Rama në një video mesazh të shpërndarë në Facebook ka folur për Këshillimin Kombëtar për Shqipërinë. Rama tha se çdo familjeje shqiptare do t’i dërgohet një formular ku do të pyetet për çështje me rëndësi duke filluar nga ekonomia, familja e drejtësia.
Në mesazhin e tij, Rama nuk la pa përmendur sherrin në PD, ku u bën thirrje të gjithë qytetarëve të qëndrojnë larg atyre që i quan “llogore partiake dhe kacafytje” dhe i këshillon të shohin nga e ardhmja.
“Unë besoj se ne shqiptarët kemi mundësi të shkojmë shumë më shpejt përpara, duke dëgjuar dhe menduar për njëri-tjetrin. Ju po njiheni dita ditës me një nisëm të re të qeverisë, Këshillimi Kombëtar për Shqipërinë. Përveç një pyetësori që po mbërrin në shtëpitë tuaja, dua që t’i japim jetë një Kuvendimi Popullor, ku të merret mendimi i gjithsecilit për vendime strategjike për vendin, ekonominë, familjen, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike. Çdo shtëpi shqiptare do të marrë një pyetësor të Këshillit Kombëtar përmes postës. Më të moshuarit mund ta plotësojnë formularin dhe të na e dërgojnë me postë, pa asnjë shpenzim. Të tjerët mund ta japin mendimin e tyre përmes faqes së Këshillimit Kombëtar online në platformën tonë të bashkëqeverisjes. Te gjithë do mund të përdorin e pikat e Këshillimit Kombëtar që do të hapen në çdo bashki. Është koha të nxjerrim mësimet tona nga këto tre dekada përpjekje demokratike dhe të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre të na e marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës, klisheve të vjetra, i djathtë apo i majtë, të besnikërisë ndaj tij apo atij tjetrit…Është koha të flasim më shumë si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz sesa si luftëra llogoresh, mllefesh, inatesh kundër njëri-tjetrit. Është koha të dëgjohen mendimet dhe idetë e secilit për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë. Të këshillohemi sa bashku për vendimet me rëndësi për familjet shqiptare. Le të dëgjojmë njëri tjetrin me kurriz nga llogoret partiake, dhe të shikojmë me sytë e imagjinatës nga e ardhmja e ndritur e Shqipërisë”, tha Rama./albeu.com