Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi të mërkurën rezolutën e parë që nga shpërthimi i luftës Izrael-Hamas. Rezoluta bën thirrje për “pauza urgjente dhe të zgjatura humanitare” në Gaza, për të trajtuar krizën e përshkallëzuar të civilëve palestinezë gjatë sulmeve ajrore dhe tokësore të Izraelit.
Votimi në këshillin prej 15 anëtarësh ishte 12-0, ndërsa Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia abstenuan.
SHBA-të dhe Britania e Madhe abstenuan për shkak të dështimit të rezolutës për të dënuar sulmin e përgjakshëm të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.
Rusia abstenoi për shkak të dështimit të rezolutës për të kërkuar një armëpushim humanitar, të cilin Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë.
Drafti përfundimtar e zbuti tonin nga “kërkesa” në “thirrje” për pauza humanitare dhe për “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe grupet e tjera”.
Rezoluta, e cila u sponsorizua nga Malta, arriti të kapërcejë dallimet serioze që e kishin penguar këshillin të miratonte katër rezolutat e mëparshme.
Në sulmin e 7 tetorit, militantët e Hamasit vranë rreth 1,200 njerëz dhe morën peng rreth 240 të tjerë. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore dhe një ofensivë tokësore ndaj Gazës së sunduar nga Hamasi. Ministria e shëndetësisë e Gazës thotë se janë vrarë më shumë se 11,000 palestinezë, dy të tretat e tyre gra dhe fëmijë. Shifrat nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vassily Nebenzia, u përpoq pa sukses ta ndryshonte rezolutën pak para votimit, duke përdorur pjesë nga një rezolutë e miratuar më 27 tetor nga Asambleja e Përgjithshme prej 193 anëtarësh. Në të bëhej thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm humanitar që çon në një ndërprerje të armiqësive”.
Pesë vende votuan pro, Shtetet e Bashkuara e Kundërshtuan dhe nëntë vende abstenuan, duke dështuar të marrë miratimin nga minimumi i kërkuar prej nëntë votash.
Ambasadorja e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lana Nusseibeh, përfaqësuesja arabe në këshill, tha se anëtarët e saj e mbështetën rezolutën, e cila tha se do të ndryshojë perceptimin e botës se Këshilli i Sigurimit “është indiferent”.
“Ky është një hap i parë, i rëndësishëm dhe i vonuar”, tha ajo, duke theksuar se duhet të pasohet nga puna për një armëpushim humanitar të qëndrueshëm.
Ambasadori i Izraelit në OKB, Gilad Erdan, lëshoi një deklaratë duke thënë se rezoluta “është e shkëputur nga realiteti dhe është e pakuptimtë”.
Ai e kritikoi dështimin e këshillit për të dënuar Hamasin, duke ngritur pretendimet se militantët qëllimisht synonin përkeqësimin e situatës humanitare në mënyrë që Kombet e Bashkuara të ushtronin trysni ndaj Izraelit që të tërhiqej nga Gaza.
“Kjo nuk do të ndodhë”, tha zoti Erdan. “Izraeli do të vazhdojë të veprojë derisa Hamasi të shkatërrohet dhe pengjet të kthehen”.
Rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së janë ligjërisht të detyrueshme, ndryshe nga rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme, por në praktikë shumë palë zgjedhin të shpërfillin kërkesat e këshillit.
Rezoluta kërkon që “të gjitha palët të respektojnë detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, veçanërisht në lidhje me mbrojtjen e civilëve, kryesisht të fëmijëve”./voa