Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e djeshme propozimin për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF).
Sipas vendimit, Këshilli i Ministrave i propozon Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për këtë detyrë kandidaturën e Mimoza Kaçit, që aktualisht mban detyrën e Nëndrejtorit Ekzekutiv të institucionit.
Znj.Kaçi propozohet të emërohet në funksionin e drejtorit të Pëgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit, për periudhën e mbetur të mandatit si anëtare e Bordit.
Duke qenë se Mimoza Kaçi është emëruar si anëtare e Bordit në tetor 2020, mandati i saj 5-vjeçar përfundin në tetor 2025 dhe përgjatë kësaj periudhe ajo do të mbajë detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.
Vendi i Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare ngeli vakant në muajin shtator, pasi Ervin Mete u lirua nga detyra për tu emëruar në vijim si Ministër i Financave dhe Ekonomisë. Gjatë kësaj periudhe, Mimoza Kaçi ka ushtruar funksionet e Drejtorit të Përgjithshëm.
Sipas ligjit, kandidatura për anëtarin e Bordit që mban detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv të AMF miratohet nga Kuvendi me propozimin e Këshillit të Ministrave.
Gara ishte shpallur fillimisht më datë 20 shtator dhe afati për dorëzimin e aplikimeve kishte qenë deri më datë 29 shtator. Lista e kandidatëve që aplikuan në shpalljen e parë të procesit konkurrues nuk është publikuar zyrtarisht, por sipas burimeve nga tregu në proces aplikuan Pajtim Melani, Redi Lleshi, Armand Reveli dhe Petrit Perhati. Por, në muajin tetor, Kryeministria e rihapi procesin, duke vendosur si afat të ri datën 23 tetor të këtij viti.
Megjithëse hapi dy herë garën, Këshilli i Ministrave nuk ka propozuar një kandidat të ri, por ka vendosur që mandati i Ervin Metes të përfundohet nga nëndrejtorja aktuale, Mimoza Kaçi.
Sipas ligjit, në rast të lirimit nga detyra të ndonjërit prej anëtarëve të Bordit përpara afatit, anëtari tjetër emërohet me të njëjtën procedurë, siç është emëruar anëtari që lirohet, për periudhën deri në përfundim të mandatit të anëtarit që lirohet.
Bazuar mbi këtë përcaktim ligjor, anëtari i Bordit që merr detyrën e Drejtorit Ekzekutiv nuk do të ketë një mandat të plotë 5-vjeçar, por një mandat të pjesshëm, deri në vitin 2025, kur mbyllej mandati i drejtorit të mëparshëm. Për shkak se mandati do të jetë i pjesshëm, më pak se dy vjet, interesi i kandidatëve të mundshëm në këtë proces mund të ketë qenë i kufizuar./monitor