Kërkonin 1200 euro për t’i kaluar drejt vendeve të BE, arrestohen 3 të rinj në Pogradec

Operacioni “Perimetri”, ka çuar pas hekurave 3 të rinj nga Pogradeci pasi janë kapur duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm.

U arrestuan M. Zh., 19 vjeç, S. O., 17 vjeç, të dy banues në Tiranë dhe M. B., 18 vjeç, banues në Durrës.Policia ka kapur në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Memëlisht, Pogradec, mjetin tip “Nissan” me drejtues shtetasin M. Zh. dhe pasagjer shtetasin S. O., duke transportuar 19 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1200 euro për person, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Nga hetimet e kryera dyshohet se edhe shtetasi M. B. ishte bashkëpunëtor me dy shtetasit e lartpërmendur në këtë veprimtari të paligjshme, pasi kryente mbikëqyrjen e rrugës me mjetin tip “Range Rover”, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.


Shtuar 27.05.2021 09:39