SPAK është përgjigjur, pasi Komisioni Parlamentar “Për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale”, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, ka bërë kërkesë në Prokurorinë e Posaçme për një vizitë me qëllim monitorimin e zbatimit të masave kundër pastrimit të parave. Në përgjigjen e siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, SPAK thekson se kërkesa bie në kundërshtim me pavarësinë e institucionit.
Gjithashtu SPAK thekson se mbetet i angazhuar për bashkëpunim me Komisionin në transmetimin e informacionit të nevojshëm dhe shpreh mosdakordësinë për vizitën e planifikuar më 6 shkurt 2026, duke e konsideruar atë “kapërcim të ligjit dhe cënim të pavarësisë së institucionit”.
Përgjigjja e SPAK
Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit.
Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional me Komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore.
Në përfundim, Prokuroria e Posaçme shpreh mosdakortësinë e saj për realizimin e vizitës monitoruese të caktuar prej jush në datën 06.02.2026, vizitë të cilën e konsideron në kapërcim të ligjit dhe cënim të pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.


