Është pak ta përkufizosh fantastike mbrëmjen që kësaj rradhe në Tiranën vibrante e dinamike, bëri bashkë aktorë të shumtë të ekosistemit të startup-eve dhe investimeve nga rajoni dhe Europa.
Me sallën e mbushur plot, Keiretsu Forum SEE në bashkëpunim shumë të suksesshëm me ICTSlab, për të parën herë mundësuan praninë në Shqipëri të dy prej fondeve më të mëdha të Kapitalit Sipërmarrës në rajon – Launchub dhe Vitosha Venture Partners me respektivisht 74 milion euro dhe 26 milion euro fond secili.
Kryefjala e diskutimeve ishte ekosistemi i startup-eve në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Europës Juglindore, për të cilat u shfrytëzua ekspertiza më cilësore.
Prezantimet, përvojat dhe këshillat e vyera që ndanë Rumen Iliev dhe Kamen Bankovski, përfaqësues nga Launchub dhe Vitosha Venture Partners, u pritën me mjaft interes nga të pranishmit duke u finalizuar me mundësinë që startup-et pjesë e eventit të shkëmbenin ide, por edhe të kishin rrjetëzim e mundësi potenciale për akses në financim në 100 milion euro fonde.
Pjesë e diskutimeve ishin gjithashtu Kushtrim Shala, kontribues kyç në ekosistemin shqiptar dhe bashkëthemelues i ICTSlab, qendrës së inovacionit dedikuar zhvillimit të aftësive digjitale dhe mbështetjes së ekosistemit të startup-eve në Shqipëri nëpërmjet programeve të edukimit dhe akselerimit, si dhe Hana Qerimi, sipërmarrëse e suksesshme e themeluese e Shkollës Digjitale dhe StarLabs në Kosovë, të cilët ndanë konkluzionet, pikëpamjet e sugjerimet e tyre.
Startup Ecosystem – Expert Insight nuk mund të kalonte pa vëmendjen dhe përshëndetjen e veçantë të ligjbërësve dhe aktorëve kryesorë qeveritarë në Shqipëri.
Delina Ibrahimaj, Ministër Shteti për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, u shpreh se “…mbajtja e këtij eventi përkon me një moment të rëndësishëm për Agjencinë e Startupeve, pasi ne sapo kemi zhvilluar strategjinë tonë të sipërmarrjes inovative.”
Eventi u përshëndet gjithashtu nga Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i cili theksoi rëndësinë që ngjarje të tilla kanë për të sjellë progresin e një mjedisi për të cilin të gjithë aktorët kanë bashkuar përpjekjet e tyre.
“Është e rëndësishme që salla e një ngjarjeje si kjo të jetë e mbushur plot sepse flet shumë se si ky vend është duke ecur përpara në ekosistemin e teknologjisë dhe zhvillimit”, shtoi Arbjan Mazniku, Ministër Shteti për Pushtetin Vendor.
Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës me nota vlerësimi për gjithë çfarë është bërë dhe po vijon të bëhet nga ekosistemi për ekosistemin, e me mesazhe inkurajimi për gjithë të rinjtë e pasionuar pas teknologjisë dhe inovacionit, përshëndeti pjesëmarrjen e lartë në këtë event si tregues të një interesi të madh e real dhe fryteve të angazhimit të përbashkët.
I dedikuar vazhdimisht në mbështetje të ekosistemit dhe iniciues i ligjit të parë të startup-eve në Shqipëri Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, theksoi në fjalën e tij se rëndësia e ngjarjeve të tilla përbën gjithashtu shtysë për vetë qeverinë në nxitjen e një standardi dhe niveli të ri pritshmërish.
Keiretsu Forum Southeast Europe është forumi që po shndërrohet në qendër graviteti për sipërmarrësit e suksesshëm të cilët synojnë të jenë engjëjt e biznesit në ekosistemin e Europës Juglindore me synimin e të qenit pionerët e zhvillimit të rajonit. Thënë kjo, anëtarësimi në këtë forum i sipërmarrësve dhe investitorëve të njohur shqiptarë, mbetet një thirrje e hapur e në të njëjtë kohë duhet konsideruar një alternativë joshëse dhe e benefitshme që u jep mundësinë atyre të bëhen bashkë me të ngjashmit e tyre, të investojnë në startupet me premtuese të rajonit, si dhe të jenë pjesë e rrugës së ndryshimit të ekosistemit që në këtë pikë duket se ka vetëm një drejtim: përpara.
Diksutimet e panelistëve gjithashtu nxorrën në pah se trinomi i partneritit ICTSlab – Keiretsu Forum SEE – Fondet e Kapitalit Sipërmarrës (VC Funds), përbën në fakt hallkat e njëpasnjëshme të zinxhirit që startup-et duhet të ndjekin në sigurimin e fondeve. (Nga programet e edukimit, inkubimit dhe akselerimit, drejt rrjetit të engjëjve të biznesit e më pas Fondet e Kapitalit Sipërmarrës)
Pjesa e rrjetëzimit pasi përfundoi eventi, pati dinamikat e veta të këndshme. Siç mund të pritej, të gjithë u turrën drejt Kamen Bankovksi dhe Rumen Iliev për të patur mundësinë e një bisede nga afër me ta. Nën shijimin e një gote vere dhe duke identifikuar njëri-tjetrin përmes titujve që mbanin të ngjitur nëpër xhaketa, shumëçka ndodhi – u krijuan kontakte cilësore; u hodh baza për bashkëpunime e miqësi të reja; u shkëmbyen ide të frytshme, të gjitha këto duke kulmuar me marrjen e propozimeve konkrete për investim.
Ardian Hoxha, President i Kapitullit të Keiretsu Forum Southeast Europe, patentës amerikane që operon në 9 shtetet e Europës Juglindore e që tashmë numëron 40 anëtarë, u shpreh optimist dhe i vendosur në vijimin e këtij angazhimi të përbashkët që synon ta kapitalizojë potencialin e rajonit tonë në nivelin që meriton.