Erblin Osmani dhe Yll Gashi e nisën nga minuta e parë me Bayernin U19, por skuadra bavareze u mposht 2-0 nga VigingU U19 në xhiron e dytë të fazës së ligës në “UEFA Youth League”.
Dy mesfushorët shqiptarë patën mundësinë të luanin në këtë përballje, ndërsa ekipi i të rinjve të klubit gjerman nuk arriti të sigurojë rezultat pozitiv.
Të lidhura
None found
Osmani qëndroi në lojë deri në minutën e 87-të, ndërsa Gashi u largua nga fusha në minutën e 70-të.
Për Erblin Osmanin, kjo paraqitje vjen pak kohë pasi ai bëri debutimin me Kombëtaren e Kosovës. Mesfushori u aktivizua muajin e kaluar në ndeshjen ndaj Irlandës, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Osmani luajti tri minuta në atë takim, ku Kosova triumfoi 1-0. Thirrja në përfaqësuese shënoi një tjetër moment të rëndësishëm në rrugëtimin e tij, teksa vazhdon të zhvillohet në akademinë e Bayernit.
Ndërkohë, Yll Gashi po vijon të grumbullojë eksperiencë te skuadra U19 e klubit bavarez dhe në të ardhmen pritet të jetë gjithashtu pjesë e konsideratës për Kombëtaren e Kosovës.
Edhe pse rezultati ndaj Vikingut ishte negativ, pjesëmarrja në “UEFA Youth League” u ofron të dy futbollistëve mundësinë të maten me lojtarë të nivelit të lartë dhe të avancojnë më tej në karrierën e tyre në një prej kompeticioneve kryesore evropiane për të rinj.







