KAS rrëzon kërkesën e PD dhe LSI për qarkun e Durrësit

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve, ka dhënë vendimin në lidhje me pretendimet e partisë Demokratike dhe LSI-së përsa i përket veprimeve të cilat ata i kanë konsideruar si shkelje të rënda gjatë procesit zgjedhor në qarkun e Durrësit.

Kërkesa e bërë nga PD dhe LSI për të marrë në dispozicion prova të tjera shtesë lidhur me shkeljet e bëra gjatë procesit zgjedhor në qarkun e Durrësit, është rrëzuar nga KAS.

Paraditen e sotme, Marash Logu përfaqësuesi ligjor i PD-s foli me emra, duke zbuluar sipas tij kush janë personat që kanë indtimiduar proçesin zgjedhor në qarkun e Durrësit.

“Ardian Çela ka qenë nën akuzë si nënkryetar i Durrësit. Drejtuesi faktik i Durrësit ishte Vangjush Dako, anëtar i Kryesisë së PS-së, i lidhur me bandat e kriminelët. Kujtojmë se gjykata liroi Lulzim Berishën, pasi Dako kishte dhënë garanci për punësimin e tij në bashki”. deklaroi Logu.

“Po ashtu, Dako del në përgjime edhe në gazetën Bild, rezulton se ai telefonon anëtar të klanit kriminal Avdylaj . Jurgis Çyrbja ka dalë i përfshirë në veprimtari kriminale, Ilir Ndraxhi doli në përgjimet e Bild si njeri me të cilin flisnin kriminelët e Abdylajt. Rrahman Rraja njihet se familjarët e tij janë përfshirë në vepra të rënda kriminale. PD ka bërë 50 kallëzime në SPAK për abuzime. Kemi denoncuar disa persona, si të përfshirë në skemë kriminale në shit-blerje të votës në Durrës, Shijak dhe rrethina”, tha Logu.

Gjithashtu, përfaqësuesi ligjor i LSI-së ra dakord me parashtrimin e PD duke kërkuar rivotim.


Shtuar 24.05.2021 13:29