Karantina për emigrantët vetëm 5 ditë para zgjedhjeve, Meta kërkesë institucioneve

Presidenti Ilir Meta u ka nisur një kërkesë institucioneve për vendimin e Komitetit të Ekspertëve për karantinën 14-ditore të emigrantëve.

Përmes një deklaratë nga Presidenca, bëhet me dije se kreu i shtetit ka marrë një ankesë nga shoqata e emigrantëve në Greqi, të cilët e konsiderojnë vendim politik karantinën vetëm pesë ditë para zgjedhjeve.

“Institucioni i Presidentit të Republikës, ju përcjell me shqetësim maksimal këtë shkresë dhe peticionin e ardhur nga shoqatat e emigrantëve shqiptarë në Greqi, duke ju kërkuar jo vetëm vlerësimin e tij menjëherë, por edhe marrjen e masave të menjëhershme për të mos krijuar pengesa të tilla artificiale, të pambështetura në të dhëna të vërtetuara shkencore të ekspertëve të fushës, dhe që çojnë në cenimin direkt të së drejtës së votës.

Nëse një masë e tillë lihet në fuqi, dhe bëhet pengesë për emigrantët që duan të votojnë për të ardhmen e Shqipërisë, ky rast do të ngrihet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si një masë e karakterit politik me qëllime direkte partiake për të cenuar zgjedhjet që duhet të jenë të lira e të ndershme,” thuhet në letrën e Presidentit.

 

 

 


Shtuar 20.04.2021 19:29