Detaje të reja bëhen me dije nga sekuestrimi i 400 kg kokaine në Kosovë.
Bëhet me dije se kompania e cila kishte porositur sasinë e mishit në Brazil është kompania Mcfood.
Kjo kompani, rezulton se është krijuar në nëntor 2020 me bashkëpronarë shqiptar dhe kosovar, raporton abc news.
Në kamionin e saj u kapën 400 kg kokainë, Kompania Mcfood.al në pronësi të Izet Sheqirit e Bledar Habilit.
Operacioni
Autoritetet kishin dy muaj që prisnin këtë ngarkesë pasi u sinjalizuan nga DEA amerikane. Me të mbërritur konteineri në Durrës, policia shqiptare ka konstatuar drogën, por nuk ka ndërhyrë duke e lejuar që të kryeshin procedurat për të zbuluar se cili do të ishte destinacioni final i tij.
Pasi kanë kryer procedurat, autoritetet e kanë ndjekur kamionin me konteinerin sipër, i cili është nisur për në Kosovë. Në këtë moment është njoftuar edhe policia e Kosovës, e cila ka ndërhyrë duke bërë edhe sekuestrimin e kokainës.
Dy ngarkesa të tjera
Gjatë periudhës së pritjes së sasisë rekord të kokainës, në portin e Durrësit kanë hyrë dhe ngarkesa të tjera në sasi më të vogla, të cilat janë sekuestruar nga policia.
Sasitë e bllokuara janë 142 kilogram kokainë në datën 10 prill dhe 49 kilogram të tjera u kapën më datë 1 prill. /albeu.com