TIRANË– Teksa negociatat për rikthimin e normalitetit në Kuvend kanë nisur, kryeparlamentarja Lindita Nikolla ul sot në tryezën e Konferencës së kryetarëve, krerët e grupeve parlamentare Bledi Çuçin, Gazment Bardhin dhe Mesila Dodën e Dashamir Shehin.
I mandatuari i Rithemelimit për negociatat është Gazment Bardhi, i cili pas 5 muajsh mbërriti për herë të parë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Pas takimit, ministrja Elisa Spiropali pritet të dalë në një konferencë për mediat.
Të lidhura
Sakaq, një ditë më parë Nikolla ka zhvilluar takime të ndara në kryesinë e Kuvendit me kreun e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçin, por edhe me kryetarët e dy komisioneve, Damian Gjiknurin e Reformës Zgjedhore dhe Klotilda Bushkën e Ligjeve, me gjasë për të diskutuar me ta mundësitë sesi do të qasen në negociata me grupin e Rithemelimit për çështjen e Zgjedhores.
Për këtë çështje, që është pika më e vështirë e negociatave, diskutimet janë që nëse Komisioni Bipartizan, ku Rithemelimi ka refuzuar të marrë pjesë përsa kohë bashkëkryetar është Enkelejd Alibeaj i PD, dështon të prodhojë një produkt deri në fund të marsit kur i mbaron mandati, të zhvendoset në një nën-komision në Kuvend, ku Gazment Bardhi kërkon të ketë më shumë anëtarë se PD zyrtare duke vlerësuar se ai është opozita reale.
Sa i takon kërkesës së Rithemelimit për komisionet hetimore, palët duket të jenë dakordësuar për të pranuar 2 të tillë, me kushtin që objekti të jetë konkret./albeu.com

