“Kam parë shumë para, më la t’i fshihja”, zbardhet dëshmia e Rozeta Dobit, si e ndryshoi kallëzimin Alda Klosi

Detaje nga arrestimi i Alda Klosit ditën e djeshme nga policia e Tiranë. Ish-zyrtarja e kryeministrisë u arrestua dje në mbrëmje pas lëshimit të një urdhër ndalimi nga prokuroria pas një dëshmie të gjatë nga pastruesja Rozeta Dobi.

Pastruesja Rozeta Dobi dëshmoi për 7 orë në polici para arrestimit të ish-zyrtares së Kryeministrisë, Alda Klosi.

Ajo ka thënë para hetuesve “Kam parë shumë para, kam pastruar shumë shtëpi. I shikoja shpesh nëpër kuti, m’i la t’i fshihja”

Ndërkohë, Alda Klosi, në banesën e së cilës u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë nga pastruesja rezulton të ketë dhënë dy deklarime të ndryshme në polici mbi paratë që ajo kishte në shtëpi.

Klosi ka deklaruar se nuk kishte pasur sasi të mëdha parash ditën kur ka denoncuar vjedhjen. Ajo ka thënë se përveç bizhuterive, nga kontrolli paraprak ka konstatuar se i mungonte edhe një sasi parash për shpenzime të përditshme.

Ndërkohë, pas arrestimit të pastrueses Rozeta Dobit dhe djalit të saj, të cilëve fillimisht iu gjetën 120 mijë euro, në një deklarim të dytë, 3 javë pas vjedhjes Klosi është shprehur se “gjatë kësaj kohe ka menduar me qetësi për sendet që ka pasur dhe se ditën e ngjarjes i janë vjedhur një shumë në valutë të huaj më shumë se 120 mijë euro, si dhe një shumë prej 30 mijë dollarësh”.

Sipas saj kjo shumë i ishte lënë nga xhaxhai, i cili vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ndodhej në SHBA. /albeu.com

 


Shtuar 4.02.2023 07:54