Jones beson te triumfi i Interit në Ligën e Kampionëve

Për Curtis Jones, Interi i ka të gjitha mundësitë të luftojë në çdo front këtë sezon, përfshirë fitimin e Ligës së Kampionëve. Mesfushori anglez është i bindur se distanca që i ndan Nerazzurrët nga trofeu nuk është e madhe.

Në intervistën për DAZN, të publikuar sot, të premten, ish-mesfushori i Liverpoolit rrëfeu gjerësisht përvojën e deritanishme me Interin dhe pritshmëritë e tij për skuadrën.

Të lidhura

None found

Pas shtatë ndeshjesh, Interi mban vendin e parë në Serie A. Jones e ka nisur nga minuta e parë vetëm një takim në kampionat, ndërsa në dy përballjet e fundit ka munguar si pasojë e një dëmtimi muskulor. Me rikthimin në fushë, synimi i tij i parë është të realizojë golin e parë me fanellën e Nerazzurrëve.

Pasi iu shfaq një video e golit të tij të parë për Liverpoolin, një realizim i shkëlqyer nga jashtë zonës së penalltisë ndaj Evertonit, Jones shpjegoi se dëshiron të shënojë, pavarësisht nëse goli vjen në atë mënyrë apo nga një goditje tjetër.

Sipas tij, mënyra e realizimit nuk ka rëndësi, sepse çdo gol vlen dhe qëllimi kryesor është të ndihmojë skuadrën. Ai dëshiron t’u dëshmojë tifozëve se mund të japë kontribut në garën për Ligën e Kampionëve dhe për ta fituar sërish kampionatin.

Përpara kalimit nga Liverpooli te Interi, Jones kishte qenë pjesë e skuadrës angleze që i mposhti Nerazzurrët në San Siro, në Ligën e Kampionëve atë sezon. Nga ajo përballje, ai kujton veçanërisht afërsinë mes futbollistëve të Interit dhe mbështetësve të tyre, të cilën e kishte vënë re edhe pse ndeshja u fitua nga Liverpooli.

I pyetur nëse Interi mund të arrijë deri te trofeu i Ligës së Kampionëve këtë sezon, Jones e shprehu bindjen e tij në masën 100%. Ai vlerësoi cilësinë e lojtarëve që ka përreth, aftësitë e tyre për të shënuar, për të dhënë asistime e për të krijuar raste, si edhe harmoninë brenda grupit dhe energjinë që e rrethon atë.

Mesfushori theksoi se skuadra ruan qetësinë dhe nuk trembet kur kundërshtarët shënojnë. Për të, një mbështetje shumë të rëndësishme përbëjnë edhe tifozët e shkëlqyer. Jones shtoi se beson te potenciali i ekipit dhe se nuk do t’i bashkohej kurrë një skuadre që, sipas tij, nuk do t’i kishte aftësitë e nevojshme.

Në mbyllje, anglezi u shpreh se nuk sheh brenda ekipit diçka që do ta shtynte të kërkonte ndryshime të caktuara. Ndonëse pranoi se gjithmonë ka hollësi të vogla për t’u përmirësuar, ai këmbënguli se largësia nga objektivi nuk është e madhe.


Shtuar më 23.10.2026 14:06