Ish-mesfushori i Gjermanisë Mesut Ozil kritikoi FIFA-n, duke e akuzuar për trajtim të pabarabartë të Rusisë dhe Izraelit.
Ozil i bëri komentet të enjten në mbrëmje, pas një takimi miqësor në Stamboll mes veteranëve të Basaksehirit dhe skuadrës ruse Zenit. Ndeshja u zhvillua në kuadër të Forumit Ekonomik Euroaziatik Verona.
Të lidhura
None found
Ai e ndoqi përballjen nga kampi i Basaksehirit, së bashku me presidentin e klubit, Goksel Gumusdag, trajnerin Nuri Sahin dhe ish-zëvendëspresidentin Mustafa Erogut.
“Sporti ka qenë gjithmonë një urë që bashkon njerëzit. FIFA nuk i ka ndaluar ekipet izraelite gjatë kësaj periudhe, ndërsa ndaj skuadrave ruse ka vendosur embargo. I bëj thirrje FIFA-s që të heqë dorë nga standardet e dyfishta dhe t’i trajtojë të gjithë njësoj”, deklaroi Ozil.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kreu i Basaksehirit, Goksel Gumusdag.
“Standardet e dyfishta janë të dukshme për të gjithë botën. Nuk është e drejtë që Rusia të sanksionohet, ndërsa Izraeli jo, qoftë në futboll apo në sportet e tjera. FIFA dhe UEFA duhet të mbajnë një qëndrim të drejtë”, tha ai.
Gumusdag shtoi se shpreson që klubet ruse të rikthehen së shpejti në kompeticionet ndërkombëtare.
Përfaqësuesja ruse dhe klubet e vendit u përjashtuan nga garat e FIFA-s dhe UEFA-s në vitin 2022, pas pushtimit të Ukrainës. Izraeli vijon të marrë pjesë në kompeticione. Më herët, ish-futbollisti i Francës Eric Cantona kishte bërë thirrje publikisht për pezullimin e Izraelit nga futbolli ndërkombëtar.
Ozil i dha fund karrierës në mars të vitit 2023, te Basaksehiri. Pak më vonë, ai u bë anëtar i Komitetit Qendror të AKP-së, partisë në pushtet në Turqi.





