Klevis Alla, bashkëpunëtori i parë i Prokurorisë së Posaçme (SPAK) tregon minutat fillestare se si pas ekzekutimit të vëllezërve Viktor dhe Besmir Haxhia në Durrës, e sesi Policia ra në gjurmët e tij. Në rrëfimin e tij, në fakt në një nga katër dëshmitë që ka bërë, Alla pretendon se ishte në dijeni se policia e kishte zbuluar, por nga ana tjetër Nuredin Dumani e ka kërcënuar.
Sipas gazetarit Elton Qyno, i cili shkruan për “OraNews”, Alla është dorëzuar në polici, duke marrë në telefon inspektorin e zonës dhe pasi ka shkuar në policinë e Durrësit, ka kërkuar takim vetëm me Tonin Vocaj, Drejtorin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. Alla thotë se tek policia e Durrësit s’kishte besim tek askush me frikën se mund të informonin Nuredin Dumanin, ndaj ka kërkuar takim personal me Tonin Vocajn. Këtij të fundit i ka rëfyer të gjithë ngjarje e vrasjes së Besmir Hashia, Viktor Haxhia, Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë.
Por edhe pse ka qëndruar për gati 1 orë me Tonin Vocajn, duke i shtuar dhe frikën e ankthin se mos ndiqej nga Dumani, Alla sërish ka gënjyer. Ai ka gënjyer në dëshminë e dhënë dhe kjo vihet në dukje qartësisht në deklarimin e dhënë në datën 30 prill 2020.
Në dëshminë e parë që ka dhënë me procesverbal-deklarimi, vetëm pak çaste nga takimi me Tonin Vocaj, Alla nuk ka përmendur në asnjë moment Nuredin Dumanin. Një gjë të tillë e ka kryer edhe në dëshminë e dytë, duke mos e përfshirë vrasësin me pagesë, por përmend një emër Ilir që thirret me nofkën “Bubi”. Për këtë të fundit, edhe sot nuk ia ka përmendur emrin se për cilin e ka fjalën.
Më pas, tregon se vetëm një ditë pas krimit të dyfishtë së 27 Prillit 2020, policia kishte shkuar në banesën e tij, duke shoqëruar dhe marrë në pyetje babain e tij, Xhemal Allën, i cili punonte si mbledhës skrapi në Durrës. Dëshmia ndryshon sërish në datën 26 shkurt 2021, duke përmendur më në fund edhe Dumanin.
Në dëshminë e katër, Klevis Alla, u thotë prokurorëve Altin Dumani dhe Doloreza Musabelliu, se: …ju kam njoftuar sot për të dëshmuar dhe një herë rreth ngjarjes, pasi u sigurova plotësisht që unë do jem në programin e mbrojtjes si bashkëpunëtor i drejtësisë, dhe se në lidhje me ngjarjen kam për të saktësuar dhe shtuar disa momente…
Sipas dëshmisë të Allës, Nuredin Dumani kishte “të infiltruar” në Policinë e Durrësit, e merrte informacione me detaje për çdo gjë. Për të vërtetuar atë që thoshte Alla përmend vjedhjen e një makinë në emër të një personi, të identifikuar si Arben.
“…sapo dola nga Komisariati i Policisë, mora makinën që kisha parkuar para policisë dhe nxora telefonin “IPhone 7”-të, të kriptuar i cili kishte të instaluar programin “SKY Chat”. Sapo e kam ndezur më ka ardhë një sms në “Sky Chat” nga Nuredini dhe më thotë: “…Meqë mbarove punë tek policia, eja se po të pres tek shtëpia. Unë akoma nuk e di se nga e kishte marrë vesh Nuredini, se unë kisha qenë në polici atë moment. Kur shkova aty më tha se: “…makinën ML e kam vjedhur unë…”, më tha mos e vrit trurin se nuk të gjen asgjë…kujtoj se mbas dy ditësh, Nuredini duke parë se pronari i automjetit ML dyshonte te unë dhe më tha: “…kam folë me çunat dhe nuk është e përshtatshme ML-ja, me ba atentatin, e kemi gjet një tjetër tek shokët e mi dhe të Talos. Më tha se makina që kishin gjetur, ishte në Elbasan. Sqaroj se makinën ML e lamë në Arapaj, në një rrugicë të cilën me sa kam marë vesh brenda në burg, e ka gjetur më pas policia….”
Madje bashkëpunëtori Klevis Alla tregon se lëvizjet e tij në polici, kontrolloheshin edhe pas vrasjes së Besmir dhe Viktor Haxhisë
“…një ditë pas ngjarjes, kam shkuar sërish tek shtëpia dhe sapo hyra në oborr të shtëpisë takova mamin tim, e cila ishte e shqetësuar sepse kishte ardhë policia dhe kishte marrë babin tim në komisariatin e Policisë Durrës. Jam veshur, kam marrë rreth 200 Euro me vete dhe kam ikur nga shtëpia. Sapo kam dalë nga banesa më ka telefonuar Nuredini edhe në aplikacionin “Whatsapp” dhe në telefon dhe më ka thënë “…ik largohu, se sa më morën në telefon dhe më informuan…”, pasi ai kishte marrë informacion nga dikush nga policia, se e kishin shoqëruar babën tim në Policinë e Durrësit dhe ai ishte i trembur…”-tregon Alla.
Sipas Allës ai nuk e ka zbatuar porosinë e Dumanit për t’u fshehur, por ka shkuar tek shtëpia e një shokut të tij në Plazh, dhe pasi ka qëndruar aty 1 natë, të nesërmen është larguar drejt banesës së tij në zonën e Nishtullës. E po ashtu tregon sesi me të atin kishte shkuar në Policinë e Durrësit.
“…kur shkova në Nishtulla, takova babin tim, nuk e kujtoj se ku e kam takuar, por ai më tregoi se e kishin shoqëruar dhe kërkonin të dinin vendodhjen time ditën e ngjarjes. I kam thënë babait, se si ishte puna duke i treguar se isha i përzier edhe unë në vrasjen e vëllezërve Haxhia, pasi ato çunat kishin pasur tek puna ime një makinë të tyren. U ndava me babin dhe i thash se do flasim për çdo gjë, si do vepronim dhe çfarë do bënim. Kam telefonuar policin e lagjes dhe i kam thënë ku je? Kujtoj se jemi takuar me policin e zonës afër gjykatës së apelit në Shkozët. Së bashku me babin, kemi hipur në makinën e policit dhe kemi shkuar në Komisariatin e Policisë Durrës. Kur kam shkuar në polici, ju kam thënë drejtuesve së dua të flas në prani të Drejtorit të Krimeve, Z.Tonin Voci, të cilit ja kam shpjeguar të gjithë ngjarjet siç është në deklarim, por edhe në deklarimet e mëparshme…”-tregon bashkëpunëtori Klevis Alla.
Klevis Alla, në dëshminë e tij e kujton kështu momentin kur ditën e 27 Prillit 2020, grupi ndezi dritën jeshile për tu hedhur në aksion dhe vrarë, Besmir Haxhinë. Sipas tij “Toyota” ndodhej e mbyllur prej disa ditësh në servisin e tij, ndërsa këtë mjet ai e kishte pastruar me alkool për të humbur çdo gjurmë të mundshme gishti.
“…unë kam ikur në këmbë nga shtëpia ime deri tek servisi im. Kam marrë makinën tip “Toyota” dhe jam nisur për tek mbikalimi në autostradë, që ka një urë hekuri që ikën për tek kisha e “Shën Vlashit”. Kur isha tek ura e hekurit, kam telefonuar Nuredinin dhe ai më tha, “…erdha erdha…”. Nuredini ро vinte nga shtëpia e tij me Benzin tim sepse ai nuk kishte makinë. Ka ardhë Nuredini, i cili ishte në timon të makinës time, i shoqëruar edhe me shtetasit Talo Çela dhe Altin Ndoci, ku ishin të maskuar me maska të zeza. Talo Çela, kishte një maskë si ajo që kishte perdorur Admir Murati, në grabitjen e bërë në Rinas…”. Alla thotë se ata kanë zbritur nga makina tip Benz, që e lanë afër autostradës dhe më pas hipën të tre në makinën “Toyota” dhe u nisën direkt, në zonën ku kishin planifikuar të bënin vrasjen, duke kryer ekzekutimin e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia.
Megjithatë Alla nuk është më i besueshëm sepse dëshmitë e tij nuk përputhen më me ato të bashkëpunëtorëve, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj. Këta të fundit marrin përsipër, se kanë organizuar dhe kryer vrasjen e Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdisë, duke përjashtuar pjesëmarrjen në këto 4 vrasje Talo Çelën dhe Altin Ndocin. E Alla nga ana tjetër, në kulmin e hasmërisë mes tyre, pretendon se Çela dhe Dumani kanë qenë bashkë në një makinë për të vrarë së bashku. Por fakti që Alla përmend Ndocin dhe Çelën si protagonistë në këtë vrasje, ka ngritur dyshime nga prokurorët e SPAK se ai mund të jetë mësuar dhe kërcënuar nga Nuredin Dumani, para se Alla të paraqitej me këmbët e veta në policinë e Durrësit. Tani hetuesit po hetojnë edhe për dëshmitë e tyre, ndaj njëri prej të dyve, ose Dumani-ose Alla, mund të humbë statusin dhe privilegjet e të penduarit të drejtësisë.