Barsoletat për shoferët që nuk mbajnë rrip sigurimi gjatë drejtimit të mjetit janë të pafundme. Me siguri çdokujt mund t’i kujtohet menjëherë një e tillë, për shoferë që i thonë policit se “nuk lidhet burri për 5 mijë lekë”. Por një shofer i tillë ka kaluar përtej çdo imagjinate dhe sensi humori. Ai është një i ri nga Shkodra dhe ka inicialet S.B. Duket se nuk e ka pasur shumë me dëshirë vendosjen e rripit të sigurisë dhe siç kuptohet, as policët dhe as gjobitjen për këtë fakt. Ndaj ai ka bërë atë që asnjë shofer nuk e ka bërë në realitet: Ka shfrytëzuar Kodin Rrugor që parashikon mosvendosje rripi sigurie për personat që janë të gjatë.
Dhe për këtë ka marrë një vërtetim nga një mjek. Por ajo që e ka tradhtuar shoferin e pazakontë nuk është as dokumenti dhe as sjellja e tij, por mospërputhja mes shtatit të shkurtër dhe dokumentit që e përshkruan mbi 1.90. Për këtë fakt, sipas burimeve pranë policisë së Tiranës, shtetasi S.B. u arrestua nga departamenti kundër krimit ekonomik për akuzën e falsifikimit të dokumenteve.
Si u zbulua
Shoferit në fjalë iu ngrit tabela për të qëndruar, tha një burim policor nga një patrullë e policisë rrugore. Patrulla gjendej në rrugën “Ferit Xhajko” në kryeqytet dhe qytetari drejtonte një mjet tip Wolksvagen pa vendosur rripin.
Ajo që ka ndodhur më pas përshkruhet në deklaratën e arrestimit të të riut. Shoferi ka dorëzuar një dokument shëndetësor ku shkruhej se shoferi përjashtohej nga detyrimi i mbajtjes së rripit të sigurimit pasi ishte i gjatë mbi 191 centimetra. Policia shton se patrulla policore dyshoi ngaqë shoferi nuk dukej aq i gjatë sa përshkruhej në dokumenta ndaj i është kërkuar që të lërë makinën dhe të zbresë në tokë. “Në pamje të parë edhe kur zbriti në tokë – shkruhet në raportin e policisë, ky qytetar nuk ishte aq i gjatë sa në dokument dhe për këtë arsye ai është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore Tiranë për veprime të mëtejshme proceduriale”.
Gjatë hetimeve në selinë qendrore të policisë së kryeqytetit, një agjent i krimit ekonomik e ka pyetur madje edhe oficerin e policisë se si i lindi dyshimi duke qenë se shoferi ishte i ulur në sedilje dhe gjatësia e tij edhe mund të mos vihej re. “Edhe unë edhe kolegu tjetër në shërbim jemi shtatlartë dhe e kemi idenë se deri ku arrin kur je i ulur në sedilje. Por unë jam mbi 184 centimetra dhe di që shpatullat qëndrojnë në krye të sediljes, qytetarit nuk i dukeshin aq lart. Ndaj i kërkuam të zbriste në tokë. Kur qytetari zbriti nga makina vërejta se ai ishte më i shkurtër se unë, ndaj dhe dyshova se ky shtetas nuk ishte i gjatë mbi 191 centimetra, ashtu siç tregohej në dokumentin që na dha”, është shprehur njëri nga policët e patrullës. Policia thotë se pavarësisht kësaj deklarate dhe këqyrjes me sy, në drejtorinë vendore i riu shkodran është vendosur me shpatulla pas muri dhe i është matur gjatësia, ku dhe është konfirmuar për efekt shkresor se ai nuk ishte i gjatë aq sa tregohej në dokumentin mjekësor. Për pasojë, ai duhej të mbante rripin e sigurimit si çdo qytetar tjetër, mbasi nuk bën pjesë te rastet përjashtimore.
Policia tha se menjëherë ka sekuestruar dokumentin mjekësor që qytetari i ka patrullës, dokument i lëshuar në datën 3 nëntor 2020 në qytetin e Shkodrës.
Policia deklaron se përpara se ta arrestonin, qytetari në fjalë është pyetur se si e siguroi dokumentin mjekësor dhe si e falsifikoi atë. Ai ka mohuar që dokumenti të ketë qenë i falsifikuar.
“Kam nxjerrë shpatullën para ca kohësh dhe kisha acarim lëkure dhe kuptova që këtë problem ma shkaktonte rripi. Këtë dokument e përdor vetëm pas orarit të punës dhe me automjetin tim personal, pasi sa herë drejtoj makinën time më dhemb shpatulla dhe ndjej këtë problem shëndetësor”, mësohet të jetë shprehur i ri gjatë deponimit të tij.
Policia e ka pyetur se kush ia kishte lëshuar dokumentin dhe shtetasi S.B. ka treguar se “nderin ia kishte bërë mjeku i familjes”.
“Në qytetin tim, si kushdo, kam mjek familjeje. Ia tregova problemin e shpatullës dhe konstatimin për situatën sa herë drejtoja makinën. Në mirëbesim mjeku më lëshoi dokumentin mbasi i tregova se duhet të isha mbi 191 centimetra dhe ai në mirëbesim nuk më mati. Mjeku e mori të mirëqënë këtë fakt dhe pas kësaj nuk kisha më problem me policinë”, ka dëshmuar qytetari shkodran./ Gazeta “Si”