Pas çdo darke/dreke të këndshme me miqtë apo familjen, vjen ai, momenti më i vështirë. Të porosisim apo jo atë ëmbëlsirën që po na e bën me sy vetëm nga përshkrimi në menu? Teksa para syve na del palestra dhe jeshillëqet e çdo dite, gjithçka harrohet kur kokën na e pushton mendimi: “E ç’kuptim ka darka pa ëmbëlsirë?!”
Ok, tani që ëmbëlsira mbaroi dhe keni ca ndjesi faji tek-tuk, pyeteni veten nëse ka një kohë të duhur për të konsumuar të ëmblat. Cilado qoftë përgjigjja juaj, ekspertët thonë PO!
Sipas tyre, nëse i konsumoni herët gjatë ditës mund të jetë më mirë për tretjen pasi nëse i hani pas darkës, mund të keni probleme me acidin refluks, stomakun apo thjesht të mos flini rehat.
Embëlsira është pjesë e festës, qejfit dhe kënaqësive prandaj edhe nëse e konsumoni në orët e vona, mund ta bëni, por e mira do të ishte ta shmangni sa herë të mundeni. Sidoqoftë, nuk ka një orë fikse për të konsumuar gjëra të ëmbla. Dietologët sugjerojnë të dëgjoni më shumë trupin tuaj. Nëse jeni të uritur për diçka të ëmbël, hajeni në atë çast pasi ditën tjetër gjërat mund të dalin jashtë kontrollit dhe ta teproni.
Mos harroni diçka! Para se të kaloni tek copa e dytë e ëmbëlsirës, prisni të paktën 20 minuta, pasi aq kohë i duhet trurit për të ndjerë se është ngopur. Hani ngadalë dhe përpiquni ta shijoni i fokusuar 100% tek pjata juaj./albeu.com