Izraeli përgatitet për ndërhyrje tokësore: Gaza nuk do të ekzistojë më

Izraeli u zotua të përshkallëzojë reagimin e tij ndaj sulmit të grupit palestinez Hamas me operacione tokësore, ndërsa presidenti i SHBA Joe Biden përsëriti mbështetjen e vendit të tij për Izraelin dhe paralajmëroi ata që mund të përpiqen të përfitojnë nga situata.

Izraeli tha se dhjetëra avionë të tij luftarakë goditën më shumë se 200 objektiva gjatë natës në një lagje të qytetit të Gazës nga e cila Hamasi ka nisur një seri sulmesh.

Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi se të paktën 900 njerëz janë vrarë dhe 4600 janë plagosur në enklavë.

Ushtria izraelite, nga ana e saj, foli për 1200 të vdekur në Izrael dhe më shumë se 2700 të plagosur.

“Ne pësuam viktima jashtëzakonisht të rënda,” tha zëdhënësi i ushtrisë nënkoloneli  Jonathan Conricus  në një video të postuar në Platformën X.

Viktimat janë kryesisht civilë, të vrarë brenda shtëpive të tyre, në rrugë ose në një festë në natyrë.

Dhjetëra izraelitë dhe qytetarë të vendeve të tjera po mbahen peng në Gaza. Militantët e Hamasit që mbajnë peng civilë dhe ushtarë kërcënuan të hënën se do të ekzekutonin një peng për çdo shtëpi të goditur në Gaza pa paralajmërim, por të martën mbrëma nuk kishte asnjë shenjë se ata e kishin kryer kërcënimin e tyre.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallad , duke iu drejtuar ushtarëve pranë gardhit me Rripin e Gazës, tha: “Hamasi donte një ndryshim dhe ata do të kenë një ndryshim. Ajo që ishte Gaza nuk do të ekzistojë më”.

“Sulmin e kemi filluar nga ajri, më vonë do të fillojmë edhe operacionet tokësore. Ne kemi kontrolluar zonën që nga dita e dytë dhe kemi shkuar në ofensivë. Kjo vetëm do të intensifikohet”, theksoi ai.

Ushtria izraelite u tërhoq nga Rripi i Gazës në vitin 2005, pas 38 vitesh okupim dhe ka vendosur një bllokadë të rreptë në enklavën palestineze që nga viti 2007, kur Hamasi mori pushtetin atje.

Të hënën, ai njoftoi rrethimin e Gazës dhe vuri në dukje se ushqimet dhe karburantet nuk do të kalojnë më në enklavë.

Përveç kësaj, Izraeli verior u godit nga raketa të lëshuara nga Libani jugor, me ushtrinë izraelite që u përgjigj, sipas tre burimeve të sigurisë.

Predha nga Siria ranë gjithashtu mbi Izraelin, duke rritur frikën se konflikti do të përhapej.

“Ne nuk e dimë ende nëse këto predha janë qëlluar nga forcat e armatosura siriane, nga një prej milicive të shumta iraniane që ekzistojnë (në Siri) dhe janë të mirëpritura nga regjimi sirian, apo nga Hezbollahu apo ndonjë organizatë tjetër,” komentoi Conricus.

“Ajo që dimë është se kemi kthyer zjarr dhe se situata është e qetë për momentin”, shtoi ai.

Gjatë natës, sirenat paralajmëruese u dëgjuan në shumë zona të Izraelit në kufi me Gazën.

Nga Shtëpia e Bardhë, Biden i dënoi sulmet e Hamasit, ndërsa Uashingtoni po dërgon ndihmë ushtarake shtesë në Izrael.

Megjithatë, presidenti amerikan i kërkoi Izraelit të respektojë ligjin e luftës në përgjigjen e tij.

“Unë do t’i them përsëri çdo vendi, çdo organizate, kujtdo që po mendon të përfitojë nga situata një fjalë: jo,” theksoi Biden, në një paralajmërim që dukej se i drejtohej Iranit dhe milicive që ai mbështet në rajon.

Përveç kësaj, Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken do të udhëtojë në Izrael për të përcjellë “një mesazh solidariteti dhe mbështetjeje”, sipas Departamentit të Shtetit.

“Askund nuk është i sigurt”

Ushtria izraelite njoftoi se forcat e saj, të mbështetura nga helikopterë dhe drone, u përleshën me militantët palestinezë në tokën izraelite dje vonë.

Ushtarët izraelitë vranë tre militantë palestinezë në një incident në Ashkelon, rreth 15 kilometra larg Gazës.

Mediat palestineze raportuan se sulmet ajrore të Izraelit goditën shtëpitë në qytetin e Gazës, Khan Younis dhe kampin e refugjatëve Burez.

Banorët e këtyre zonave po bëjnë thirrje për ndihmë në rrjetet sociale dhe raportojnë se shumë ndërtesa janë shembur, duke bllokuar deri në 50 persona, ndërsa shpëtimtarët nuk mund të ndihmojnë.

OKB-ja njoftoi sot se më shumë se 260,000 njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës dhe janë strehuar në shkolla ose janë në rrugë.

Në morgun e Khan Yunis kufomat shtrihen në dysheme me emrat e tyre të shkruar në bark.

Mjekët kanë kërkuar nga familjarët që të marrin trupat sa më parë pasi nuk ka vend tjetër për të vdekurit.

Një ndërtesë publike e përdorur si strehë nga të zhvendosurit u bombardua.

Të mbijetuarit folën për shumë të vdekur.

“Asnjë vend në Gaza nuk është i sigurt, siç mund ta shihni se ata po godasin kudo,” tha Ala Abu Tair, 35 vjeç, i cili kishte kërkuar strehim atje.

Ministria e Punëve të Jashtme Palestineze njoftoi se që nga e diela më shumë se 22,600 shtëpi dhe 10 objekte shëndetësore janë shkatërruar nga bombardimet izraelite, ndërsa 48 shkolla janë dëmtuar./Albeu.com


Shtuar 11.10.2023 09:39

Tags: , ,