“Izoloi” qiellin shqiptar, kriza financiare e AlbControl filloi kohë përpara pandemisë

Greva e pashpallur e punonjësve të kompanisë Albcontrol vuri në dukje vështirësitë ekonomike të një kompanie nën pronësi publike, e cila është në pozicion monopol në treg, ofron një shërbim të domosdoshëm dhe megjithatë, prej vitesh rezulton me humbje.

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku deklaroi se kompania ishte detyruar të ulte pagat e punonjësve për shkak se të ardhurat e kompanisë kanë rënë si pasojë e pandemisë. Ajo e shpalli grevën “një grusht shteti”, ndërsa i deklaroi rrogat e punonjësve të kompanisë [4,400 dollarë në muaj] si shumë të larta.

Balluku ka qenë drejtoreshë e kësaj kompanie që nga dita kur socialistët erdhën në pushtet në vitin 2013 dhe deri në ditën kur ajo u bë ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në janar 2019. Ajo nuk ka ngritur ndonjë pretendim për pagat e larta në kohën që drejtoi Albcontrol.

Të dhënat e Albcontrol të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit sugjerojnë se kompania është përdorur nga të gjitha partitë politike në pushtet, si një vend në bordin e së cilës mund të vendosësh njerëz pa ndonjë lidhje të dukshme me trafikun ajror. Të dhënat financiare të kompanisë tregojnë gjithashtu se kriza financiare nuk është si pasojë e vetëm pandemisë, por është më e vjetër.

Këto të dhëna tregojnë gjithashtu se shpenzimet e kompanisë për paga dhe trajtime të tjera për punonjësit nuk kanë ndryshuar gjatë viteve, të ardhurat kanë qenë në rritje, ndërsa humbjet janë krijuar nga rritja e shpenzimeve në një zë enigmatik të quajtur “shpenzime të tjera”.

Albcontrol është kompania me numër identifikimi J61908011H dhe që ofron shërbimin e menaxhimit të trafikut ajror. Shqipëria është në një pozicion ku shumë avionë kalojnë tranzit dhe secili prej tyre paguan një tarifë për sistemin e radarëve dhe të kontrollorëve që koordinojnë lëvizjet e tyre për të shmangur përplasjet.

Të ardhurat e kompanisë ishin 3.6 miliardë lekë (afro 29 milionë euro) në vitin 2019, viti i fundit kur bilanci është i disponueshëm për publikun. Të ardhurat janë rritur gradualisht; p.sh., në vitin 2014 ato ishin 3.2 miliardë lekë. Afro 1/3 e të ardhurave të kompanisë ose 1.3 miliardë lekë shkojnë për “shpenzime personeli”.

Kompania realizoi fitime neto në masën 208 milionë lekë në vitin 2014 (rreth 1.7 milionë euro me kursin e sotëm), ndërsa në vitin 2017, fitimet e saj ranë në 48 milionë lekë (392 mijë euro).

Në vitin 2018, kompania humbi afro 1 milionë euro, ndërsa në vitin 2019 humbjet u rritën në 2.3 milionë euro.

Të ardhurat e kompanisë raportohet se janë goditur rëndë nga anulimi i mbi gjysmës së fluturimeve ajrore në Shqipëri dhe në botë, për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri. Por telashet financiare të kompanisë kanë filluar së paku që nga viti 2018.

Siç ndodh zakonisht në bordet e ndërmarrjeve nën pronësi publike, funksionarë të ndryshëm politikë janë ulur në këto borde, ndërkohë që lidhja dhe aftësia e tyre në çështje të menaxhimit të një kompanie kaq specifike nuk janë shumë të qarta. Të dhënat e publikuara në QKB tregojnë se Spartak Braho, ish-deputet i LSI dhe më pas socialist, ka qenë anëtar bordi në këtë kompani në kohën kur LSI ishte në aleancë me PD.

Besart Kadia, i cili u bë zëvendësministër financash nga Rama, u bë edhe anëtar bordi i kompanisë më 25 nëntor 2020.

Genci Gjonçaj, sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe gjithashtu ish-përfaqësues i Partisë Socialiste në KQZ, është anëtar bordi që nga viti 2017. Anëtare bordi janë edhe Albana Koçiu (drejtoreshë e DAP) apo Mirlinda Karçanaj, drejtoreshë e AKSHI. /BIRN/


Shtuar 8.04.2021 10:46