Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia, është arrestuar nga policia në Kamëz.
I kërkuar në Itali, për pjesëmarrje në një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, ai u lokalizua dhe arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Pëllumb Suçi, banues në Kamëz, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Perugias, Itali, në vitin 2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e narkotikeve”.
Në vitin 2022, Suçi në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë krijuan grup kriminal me qëllim trafikimin dhe më pas shitjen e kokainës në sasi të ndryshme.
Në vijim të operacioneve policore për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të cilat zhvillohen në kuadër të megaoperacionit kombëtar “Sundimi i ligjit”, dhe si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 3”. Gjatë operacionit, në Kamëz, u lokalizua dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar P. S, 41- vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.
Sipas policisë, Interpol Tirana dhe Interpol Roma, po bashkëpunojnë për të kryer ekstradimin e tij.