“Ishte gjithçka gati, shumë afër përfundimit”, James tregon si Reali bllokoi kalimin tek Atl Madrid

James Rodriguez ka treguar që vitin e kaluar, ai kishte biseduar me trajnerin e Atletico Madridit Diego Simeone, por ishte Real Madridi që e bllokoi transferimin e tij.

Kolumbiani kaloi në Premier Ligë, në radhët e Evertonit nga Real Madridi, pasi që nuk ishte më në planet e Zinedine Zidanes sezonin e kaluar.

Ai ishte i lidhur me shumë skuadra të mëdha evropiane, para se t’i bashkohej Evertonit në “Goodison Park”. Atletico Madridi ishte ndër skuadrat e interesuara për shërbimet e Rodriguez, dhe 29 vjeçari ka treguar që ai ishte pranë një kalimi tek rivalët e Realit, Atletico Madridi.

“Ishte gjithçka gati, shumë afër përfundimit. Kam folur me Simeonen, dhe më ka thënë që do të isha i rëndësishëm, por Reali nuk më la të largohem”, tha Rodriguez për “ESPN”.

“Presidenti Perez e dinte që nën urdhrat e Zidanes nuk do të kisha minutazhë të madhe në lojë. Ishte një vit jo i mirë, dhe në fund desha që të kaloj tek Evertoni, që të luaj dhe të tregoj atë që di të bëj më së miri”, shtoi ylli kolumbian.

James ka shënuar pesë gola dhe ka regjistruar katër asistime, në 18-të paraqitje në Premier Ligën angleze këtë sezon.

Ai është duke kaluar një kampanjë tejet të mirë në futbollin anglez, por nuk do ta kishte konsideruar si opsion skuadrën e Evertonit, pa prezencën e tre herë fituesit të Ligës së Kampionëve, trajnerit Carlo Ancelotti.


Shtuar 2.04.2021 18:49