Genc Ruli, ish-deputeti dhe ministri i qeverisë Berisha, Genc Ruli është paraqitur ditën e sotme në SPAK.
Pritet që të merret në pyetje në lidhje me çështjen e privatizimit të Kompleksit Partizani.
Ndërsa subjekt hetimi janë personat urdhërues: Ish-Kryeministri Sali Berisha, ish-ministrat Fatmir Mediu, Arben Imami, Genc Ruli e Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës, që dorëzoi letra arkivore pronësore false në institucione.
Sipas informacionit, Byroja Kombëtare e Hetimit ka kërkuar këto dokumente nga këto 2 ministri:
– Shkresën Nr. 280/1, datë 31.10. 2005 të Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, me objekt: Propozim për privatizimin e Kompleksit “Partizani”.
– Shkresë-Përgjigjen Nr. 9549, datë 14.11.2005 të ministrit Fatmir Mediu, kthyer ministrit Genc Ruli, me objekt: “Pranimin e propozim- kërkesës për heqjen e kompleksit “Partizani” me sipërfaqe 33 mijë m2, nga inventari pronave të ushtrisë dhe privatizimin e tij.
– Shkresat Nr. 638/2, Nr. 638/3 e Nr. 638/4, datë 29.08.2007, që Bamir Topi, 1 muaj pas marrjes së detyrës, i ka dërguar kryeministrit Berisha dhe ministrave Mediu e Ruli, që kompleksi “Partizani” hiqej nga “Plani i përhapjes Ushtarake”, për efekt privatizimi sipas kërkesë së tyre.
– Urdhrin Nr. 50/1, datë 3.09.2007 të ministrit Genc Ruli, për miratimin e privatizimit të kompleksit.
– Shkresat që Gjeneral Vladimir Qirjazi i ka dërguar ministrit Mediu, kryeministrit Berisha e presidentit Topi, me refuzimin e privatizimit, si akt i paligjshëm e me letra pronësie false.
– Listën e përfituesve të truallit të kompleksit “Partizani” dhe dosjen e paraqitur prej tyre, si ish-pronarë trashëgimtarë, ku në numrin 22 është edhe emri i Jamarbër Malltezit, i cili kishte 1/64 pjesë të 33 mijë m2, ndërsa 1 javë pas privatizimit rezultoi pronar me 35% të sipërfaqes.