EMRI/ Ish-deputeti shqiptar jep 50 mijë euro për strehimin e afganëve (FOTO LAJM)

Ish-deputeti dhe biznesmeni i njohur kosovar, Ramiz Kelmendi, ka ofruar 50 mijë euro, ndihmë fillestare për pritjen e afganëve që do të strehohen në Kosovë.

“Shpreh gatishmërinë time, për mbështetje fillestare financiare në vlerë prej 50 mijë eurosh, për strehimin e qytetarëve Afgan që do strehohen në Republikën e Kosovës.

Unë, familja ime dhe qytetarët e vendit tim e kuptojnë mirë çfarë do të thotë ta lëshosh atdheun e nuk e harrojmë asnjëherë kontributin dhe rolin e Qeverisë Amerikane dhe kombit amerikan për rikthimin, riatdhesimin tonë, në Kosovën tonë të dashtur!

Falë këtij kontributi ne sot, i gëzohemi jetës dhe zhvillimit të shtetit tonë! Zoti e bekoftë Amerikën! Ne jemi të bekuar me ju!”, ka shkruar Kelmendi.

Gjithsesi, sot u raportua se qeveria e Shteteve të Bashkuara do të mbulojë të gjitha shpenzimet për afganët që do të strehohen në vende të ndryshme të botës, derisa të përfundojnë procedurat ligjore që ata të vendosen në SHBA.

Kështu u tha në një takim të organizuar nga Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy R. Sherman dhe Nënsekretarja amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland, në të cilin mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.


Shtuar 20.08.2021 22:43