Isa Mustafa zbulon arsyen: SHBA s’ka kërkuar rrëzimin e Qeverisë Kurti 1, atë e rrëzoi vetë kryeministri

Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur se LDK nuk ka dashur që ta rrëzojë qeverinë e Kurtit, gjatë kohës që ata ishin në pushtet së bashku.

Mustafa shhtoi se qeverinë e atëherëshme e rrëzoi vetë Albin Kurti, me veprimet e mosveprimet e tij.

Në këtë mënyrë ai ka hedhur poshtë deklarimet e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, se ka qenë i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, i ka dhënë LDK-së ultimatum për ta rrëzuar Qeverinë Kurti në mars të vitit të kaluar.

Komentet ai i bëri në një shkrim në Facebook, Mustafa ka thënë se askush nga SHBA-ja s’ka dhenë porosi të tilla e afate, sa vetë ishte në krye të LDK-së.
“z. Richard Grenell nuk ka kërkuar asnjëherë nga LDK, sa unë kam qenë Kryetar i saj, që të rrëzohet Qeveria Kurti 1. Nga askush nga SHBA, LDK s’ka marrë porosi të tilla dhe afate. z. Grenell si përfaqësues i Presidentit të SHBA-ve për Kosovën (jo si emër i përveçëm) ka kërkuar nga ne që të hiqet tarifa e vënë nga Qeveria Haradinaj dhe që kjo tarifë të mos zëvendësohet me reciprocitetin, për t’i dhënë shanse bashkëpunimit ekonomik në rajon dhe dialogut.

I kam shkruar z. Kurtit në atë kohë se nëse nuk respektohen kërkesat amerikane për tarifat dhe nuk bashkëpunohet me SHBA-të si partner strategjik atëherë LDK, posa të kalojë faza e COVID-it, do të del nga Qeveria. Jo se do ta rrëzojë Qeverinë, por DO TË DEL NGA QEVERIA KURTI. Qëndrimi në një Qeveri të tillë e cila nuk bashkëpunonte me SHBA-të ishte i pakuptimtë dhe degradues për LDK-në. Z. Kurti e rrëzoi vet Qeverinë me shkeljen e Marrëveshjes së koalicionit , kur e shkarkoi një ministër të LDK-së. Këtë e bëri me të vetmin qëllim për të krijuar shkas që të bie Qeveria”, ka shkruar Mustafa.

Mustafa ka shtuar se habitet me interpretimet ditëve të fundit se SHBA-ja i ka dhënë ultimatum LDK-së për ta rrëzuar Qeverinë Kurti 1.

“Këta njerëz ose nuk i njohin SHBA-të ose janë të sëmurë kundër SHBA-ve. I falem zotit që jam gjallë dhe shëndosh nga mendja, për të mos lejuar spërkatje të tilla ndaj LDK-së dhe partneritetit me SHBA-të derisa unë isha kryetar i saj”, ka përfunduar Mustafa.

Kujtojmë se qeveria Kurti 1 ishte rrëzuar më 25 mars 2020, vetëm 50 ditë pasi u formua me partneritetin VV-LDK./albeu.com/