Partia Socialiste ka kërkuar mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore ndaj deputetëve të Partisë Demokratike Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka.
Kërkesa e PS-së drejtuar Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, vjen pas incidenteve që u shkaktuan sot në Kuvend, para miratimit të programit qeverisës dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave.
Të premten në orën 10:00 do zhvillohet mbledhja e sekretariatit të etikës për kërkesën e PS për masën ndëshkuese të Bardhit dhe Krekës.
Sipas PS-së “deputeti Gazment Bardhi goditi disa herë me mjete të forta në drejtim të Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Gjithashtu dhe deputeti Fidel Kreka kreu në të njëjtën formë shkelje si deputeti Gazment Bardhi.
Në këto kushte aspak normale për vijimin e seancës plenare, referuar Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit kaloi në procesin e votimit”, thuhet në kërkesën e PS-së.
Kuvendi miratoi me 82 vota pro programin qeverisës për katër vitet e ardhshme dhe përbërja e Këshillit të Ministrave.
Seanca zgjati vetëm 25 minuta, pasi opozita bllokoi foltoren dhe nuk lejoi vijimin e prezantimit të programit qeverisës nga kryeministri Edi Rama.
Shkak i tensioneve ishte kundërshtia e opozitës për emërimin e Diellës si ministre për Inteligjencën Artificiale.
Mazhoranca kërkoi kalimin në proces votimi.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi hodhi në votim programin qeverisës dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave, që u votua me 82 vota nga mazhoranca, ndërsa opozita abstenoi.