Ilir Proda për atentatin e Shkodrës: Shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete, sikur të kisha shkopin magjik do e…

Këtë të mërkurë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka premtuar rezultate konkrete në lidhje me hetimin për ngjarjen e rëndë me 4 viktima, të ndodhur 30 tetor në Shkodër .

Proda ka qenë në Komisionin e Sigurisë, për të folur për buxhetin e Policisë së Shtetit, por është ndalur dhe në masakrën e Dobraçit.

Ai tha se nëse do kishte shkopin magjik do e kthente kohën pas, por tashmë duhet të përballen me këtë ngjarje të rëndë.

“Unë jam qytetar vetë dhe e vlerësoj shqetësimin tuaj qytetar. Nuk diskutohet që ne kemi qëndruar. Grup i posaçëm duket sikur s’po punon, por unë me garanci po ju them që shumë shpejt për atë ngjarje do të kemi rezultate. Ngjarja ishte e rëndë, sikur të kisha shkopin magjik ta ktheja kohën pas, besoj të gjithë nga ne do ta kishim vënë dorën në zemër për të mos ndodhur, por ja që ka ndodhur. Është fakt tani dhe duhet të përballemi. Ngjarje nuk ka pasur vetëm në Shkodër, situatë problematike ka pasur në disa qytete të Shqipërisë të cilat ne i kemi adresuar”, deklaroi Proda.


Shtuar 13.11.2024 14:09