Ilir Meta zbulon ushqimin e preferuar: Ha fasule tre herë në javë

Kryetari i Partisë së Lirisë ndodhet këto ditë fundgushti në bregdetin e Jalës me të rinjtë e kësaj force politike, një traditë e përvitshme. Risia e kampingut të sivjetshëm është “podkasti” që Ilir Meta ka zgjedhur të zhvillojë me ndjekësit e tij.

Në takimin e sotëm, ish-presidenti mes të tjerash ka folur dhe për ushqimin e tij të preferuar. Siç tregoi vetë, pjata e preferuar e Ilir Metës janë fasulet.

“Te gatimi i preferuar është çik problem, sepse në këtë jetë që erdhëm nga një sistem me probleme dhe kufizime ushqimore siç ishte komunizmi, unë nuk mund të ankohem se prindërit vinin nga një tjetër shtresë dhe nuk na ka munguar gjë, por e them shpesh me të qeshur se kishim alergji ndaj fasuleve, sepse kudo ku shkonim kishim fasule.

Tani ndodh që pas kaq vitesh fasulja përsëri është një gjellë e preferuar, sepse është shumë e shëndetshme. Nëse nuk ka tre herë në javë fasule ose diçka të tillë e kam të vështirë”, është shprehur kryetari i Partisë së Lirisë.

Ilir Meta ka kujtuar edhe kur bënin zbor dhe ushtarëve të rinj u jepeshin për të ngrënë fasule. Sipas tij, ato janë shumë të shëndetshme.

“Dhe kur shkonim në aksion, ne që ishim më të rinj kishim fasule, kur bënin zbor në Mamurras kishim fasule, çaj. Po ja që tani ndodh, që pas 25-30 vitesh, prapë gjella më e preferuar për mua tani, unë jam rikthyer tek fasulja”, ka vijuar ai.


Shtuar 29.08.2024 22:09