Ilir Beqaj mbërrin në Komision për të dëshmuar, sërish mbulon duart e prangosura

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, sapo ka mbërritur në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, pasi është thirrur në Komisionin Hetimor të Koncensioneve në Shëndetësi, për të dëshmuar në lidhje me sterilizimin.

Ish-ministri Beqaj, mbërriti në Kryesinë e Kuvendit i shoqëruar nga forca policie dhe me pranga në duar.

Por, ashtu si ditën e djeshme, Ilir Beqaj u kujdes që të mos i dukeshin prangat. Ai i mbuloi me një xhup të zi, ndërsa në duar mbante edhe një çantë.

Mbledhja e ditës së djeshme, u mbyll pa asnjë dëshmi nga ana e ish-ministrit. Beqaj kishte përgatitur një fjalim propagande, me foto të ndryshme në “Power point”, skenar i cili nuk u lejua nga drejtuesja e Komisionit, deputetja Albana Vokshi, duke sjellë një debat prej më shumë se 8 orësh dhe në fund seanca për pyetjen e tij është shtyrë për sot.

 

Beqaj pritet të japë dëshminë e tij lidhur me 2 koncesionet, atë të sterilizimit dhe të check up-it. Ai është nën hetim nga SPAK për dy dosje, të sterilizimit dhe një për abuzim me fondet e SASPAK.

Koncensioni 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë dollarë, iu dha kompanisë ‘SaniService’, një bashkim kompanish ku Ilir Rrapaj me kompaninë e tij ‘Investital LLC’ është zotëruesi kryesor i aksioneve, krahas kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l” të Staccinit.

Biznesmeni Ilir Rrapaj ,ndodhet në arrest me burg prej 16 gushtit 2024, ndërsa i arrestuar është edhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj.

 


Shtuar 13.11.2024 11:13