IKSHPK: Në mostrat e pacientëve të helmuar në Deçan u gjetën tri lloje bakteresh

IKSHPK-ja ka marrë analizat nga mostrat e pacientëve të helmuar në Deçan të cilët u dërguan jashtë Kosovës. Në këto mostra janë detektuar tri lloje të bakterit.

“Në dy mostrat e fecesit të dërguara më datën 15 korrik 2021, për testim në laboratoret jashtë Kosovës, janë detektuar Norovirus GI/GII, Enteropathogenic E.Coli (EPEC) dhe Enterotoxigenic E.Coli (ETEC). Ekzaminimet mikrobiologjike në mostrat e pranuara nga pacientët me shenja të infeksionit të traktit gastrointestinal, janë duke vazhduar për detektim të patogjenëve të ndryshëm viral, bakteror dhe parazitar”, njoftoi IKSHPK-ja.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë përsëritë rekomandimet për deçanasit lidhur me përdorimin e ujit.

1. Të shtohet kontrolli i Inspektoratit Sanitar dhe Shëndetësor për ngritjen e nivelit të raportimit të rasteve dhe saktësinë e të dhënave për pacientët.

2. Të shtohet kontrolli i Inspektoratit Sanitar dhe Mjedisor në identifikimin e kyqjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit.

3. Në mungesë të ujit nga rrjeti i ujësjellësit të sigurohet uji higjienik për pije nga cisternat e kompanisë ujore komunale deri në normalizimin e gjendjes në të gjitha fshatrat e komunës së Deçanit, pa marrë parasysh a kanë apo jo raste të dyshimta me simptoma gastrointestinale.

4. Të bëhet furnizimi i banorëve me ujë të ambalazhuar për pije dhe për përgatitje të ushqimit.

5. Pas rikthimit të ujit në rrjet rekomandohet që uji të përdoret vetëm për amvisëri dhe higjienë deri në rekomandimin e ri.

6. Kompania ujore publike të përforcojë kontrollin dhe rregullisht të dezinfektojë ujin.

7. Ujësjellësi të furnizojë qytetarët me ujë higjienik për pije me orar normal për të pamundësuar kontaminimin dhe për të parandaluar epidemitë hidrike.

8. Ekipet e ujësjellësit rajonal të debllokojnë nyjet e kanalizimeve dhe të gjejnë pikat e dobëta në rrjet ku përzihet uji i ujësjellësit me kanalizim dhe gropa septike.

9. Të ndalohet dhe ndërpritet rreptësisht kyçja e puseve (bunarëve) në rrjetin e ujësjellësit.

10. Të aplikohet respektimi i zonave të sigurisë.

11. Të bëhet pastrimi me tretje hiperklorike i kaptazhave dhe rrjetit shpërndarës.

12. Të bëhet instalimi i klorizimit të vazhdueshëm.

13. Të realizohet monitorimi i sforcuar i ujit në të gjithë rajonin.

14. Të ofrohet ndihma e nevojshme për të gjithë pacientët e sëmurë.

15. Larja dhe dezinfektimi i shpeshtë e duarve dhe higjiena personale.

16. Kujdes i shtuar gjatë përgatitjes, konsumimit dhe ruajtjes së ushqimit./Koha


Shtuar 16.07.2021 15:57