I vodhën me dhunë varësen një vajze në Astir, vihen në pranga 2 të rinjtë nga Lezha

Policia në Tiranë ka vënë në pranga dy të rinj që i vodhën me dhunë varësen shtetases me iniciale I.K në zonën e Astirit.

Njoftohet se të arrestuarit janë O. H., 18 vjeç, dhe K. H., 24 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.

Të lidhura

None found

Më 8 korrik është bërë denoncimi në polici nga gruaja që iu vodh varësja. Sipas dëshmisë së saj, dy të rinjtë ia vodhën varësen te zona e Astirit. Pasi ia vodhën zonjës, 18-vjeçari dhe 24-vjeçari e kishin shitur varësen në një argjendari në qytetin e Lezhës.

Për rastin u procedua penalisht  në gjendje të lirë edhe pronari i argjendarisë, shtetasi I. G., 39 vjeç, banues në Lezhë.

NJOFTIMI I POLICISË:

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Discover”, për zbardhjen e një vjedhjeje të ndodhur më parë, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të saj.

I vodhën me dhunë varësen një shtetaseje, identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar.

Procedohet penalisht pronari i argjendarisë, që përvetësoi varësen e vjedhur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore disaditore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Discover”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasve:

– O. H., 18 vjeç, dhe K. H., 24 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.

Më datë 08.07.2022, në Komisariatin e Policisë Nr. 6, ka bërë kallëzim shtetasja I. K., se në zonën e Astirit, persona të paidentifikuar i kanë vjedhur varësen me dhunë. Strukturat e Policisë kanë organizuar menjëherë punën për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të kësaj ngjarjeje.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore disaditore janë identifikuar dhe vënë në pranga shtetasit O. H dhe K. H., të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë vjedhur me dhunë varësen shtetases I. K., dhe më pas e kanë shitur atë në një argjendari në qytetin e Lezhës.

Në vijim të veprimeve hetimore u procedua penalisht në gjendje të lirë, pronari i argjendarisë, shtetasi I. G., 39 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./albeu.com