I riu në Mirditë hedh drogën nga makina kur sheh policinë, nuk u shpëton prangave

Policia ka vënë në pranga M. P., 29 vjeç, në Mirditë, pasi gjatë kontrollit në makinë i janë gjetur dhe sekuestruar 2 kilogramë e 100 gramë  lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, të cilën ai, në momentin që ka parë shërbimet e Policisë, e ka hedhur jashtë mjetit.

Njoftimi i policisë:

Mirditë

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Sekuestrohen 2 kilogramë e 100 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, vihet në pranga poseduesi.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me automjet dhe posedonte lëndë narkotike, shërbimet e Policisë Mirditë kanë organizuar punën dhe në fshatin Ndërfane, Mirditë, kanë lokalizuar mjetin e dyshuar, me drejtues shtetasin M. P.

Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 2 kilogramë e 100 gramë  lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa, të cilën shtetasi M. P., në momentin që ka parë shërbimet e Policisë, e ka hedhur jashtë mjetit.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. P., 29 vjeç, banues në Shëngjergj, Mirditë.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /albeu.com


Shtuar 29.10.2021 12:20