I përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit, ekstradohet në Shqipëri Silvester Driza

Është ekstraduar nga Gjermani në Shqipëri Silverster Driza, një nga personat e arrestuar për përfshirje në aferën me inceneratorin e Fierit.

“Si rezultat i bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Ëiesbaden, Gjermani, u bë kapja dhe ekstradimi drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar, S. D., 30 vjeç, lindur në Durrës.

Shtetasi S. D., ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga ZQK Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë, “Arrest në burg”,  për veprën penale, “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim .

Përmbledhja e fakteve:  Shtetasi S. D. ka themeluar një shoqëri Sh.p.k dhe ka kryer disa transaksione fiktive me kompaninë që ka me koncesion inceneratorin e Fierit.

Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët për lokalizmin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Akuzat 

Sipas akuzës së ngritur ndaj Drizës, ai ishte administratori i shoqërisë “Sili shpk”, përmes së cilës Klodian Zoto ka realizuar një skemë të pagesave fiktive.

“I pandehuri Klodian Zoto, në cilësinë e aksionerit tek shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, si dhe të pandehurit Arenc Myrtezani dhe Loran Dusha, në cilësinë e administratorit të shoqërisë “Integrated Technology  Waste Treatment Fier” sh.p.k., kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt”, si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit. Këto pagesa të përfitimit të parregullt janë bërë nga shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k, nëpërmjet transaksioneve fiktive në drejtim të shoqërive “Pivot 04” sh.p.k, me administrator shtetasin Arbër Denizi, “Sili” sh.p.k, me administrator shtetasin Silvestër Driza, “J.P.Y”sh.p.k, me administrator shtetasin Juri Ymeraj”, thuhet në dosjen e SPAK./albeu.com