Një 45-vjeçar nga Kosova është arrestuar në pikën kufitare të Morinës me qëllim ekstradimin drejt Zvicrës.
Policia njofton se Skënder Murtezi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi rezulton i dënuar me 2 vite e 9 muaj burg nga drejtësia zvicerane për veprën penale “Vjedhje, grabitje, rrahje, si dhe veprime të turpshme me të mitur”.
Njoftimi i policisë:
Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi drejt Zvicrës, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhje, grabitje, rrahje, si dhe veprime të turpshme me të mitur”.
Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Skënder Murtezi, 45 vjeç, banues në Koshare, Kosovë.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Zvicër, pasi Gjykata rajonale Aura Zvicër e ka dënuar me 2 vite e 9 muaj burg për veprat penale “Vjedhje, grabitje, rrahje, si dhe veprime të turpshme me të mitur”, parashikuar nga legjislacioni penal i Zvicrës.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Zvicrës, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.