Autoritetet italiane kanë vendosur që italiani që vrau shtetasin shqiptar në momentin që ky i fundit kishte shkuar për t’i vjedhur në shtëpi, të mos marrë përgjegjësi.
Autoritetet italiane kanë dalë në një përfundim: ndaj Arbër Xheleshit u qëllua për vetëmbrojtje. Vrasja e 25 tetorit në Frosinone, ku 38-vjeçari shqiptar u qëllua me çifte teksa po grabiste shtëpinë e Sandro Fiorellit është justifikuar nga autoritetet vendase.
Pritet që brenda 90 ditësh të dërgohet raporti përfundimtar, por në tavolinën e prokurores Marina Marra, ka mbërritur konfirmimi se Fiorelli nuk e ka qëlluar pas shpine shqiptarin. Por plumbi e ka marrë Xheleshin poshtë sqetullës duke i prekur disa arterie të rëndësishme. Pikërisht ky pozicion lë të kuptohet se në momentin kur është qëlluar, ka ngritur krahun për të goditur.
Megjithatë vijon hetimi për të zbuluar bashkëpunëtorët e Xheleshit, pasi kanë qenë për të grabitur së bashku me të paktën 2 persona të tjerë. Por e lanë pas në momentin që u kapën nga pronari. Ndërkohë në fshatin ku ndodhi ngjarja, të gjithë janë me Fiorellin. Në Santopadre, qytetarët kanë nxjerrë banderola të ndryshme në muret e qytetit në mbështetje të 59-vjeçarit. Ata shprehen se ai ka bërë një veprim të duhur për të mbrojtur veten, familjen dhe shtëpinë.
“Mbrojtja është gjithmonë e ligjshme,”-lexohet në një prej banderolave të varura në qytet./albeu.com/